img3

Historik

Historik i Shkurtër i Ndarjes Administrativo-Territoriale të Shqipërisë


1912 – 1924

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, qeveria shqiptare pranoi organizimin administrativ të sanksionuar në “Kanunin e Përshtatshëm të Administratës Civile të Shqipërisë” të shpallur më 22 nëntor 1913, sipas të cilit vendi ndahej në prefektura me në krye prefektin. Më tej ishin nënprefekturat të drejtuara nga nënprefekti dhe krahina e drejtuar nga krahinori. Prefekturat ishin tetë: Berati, Dibra, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Shkodra dhe Vlora.

1925 - 1945

Organizimi dhë funksionimi i administratës vendore u përcaktuan sipas “Ligjit organik të bashkisë” të miratuar më 1921 dhë më pas, me Kodin Civil të miratuar në shkurt të vitit 1928. Njësia fillestare ishte fshati që drejtohej nga kryeplaku, i cili përgjithësisht zgjidhej nga mbledhja e popullit të fshatit. Bashkia ngrihej në qytete ose qendra rurale banimi me mbi 200 familje. Bashkia kishte në krye këshillin bashkiak të zgjedhur nga populli për çdo tre vjet. Bashkia drejtohej nga kryetari i zgjedhur nga populli. Në vitin 1928 u shtua edhe komuna si njësi e administrimit vendor. Ajo përfshinte disa fshatra dhe drejtohej nga kryetari, pranë të cilit qëndrontë këshilli i komunës i përbërë nga kryepleqtë e fshatrave.

Nënprefektura ishte njësia administrativo-territoriale me funksione civile administrative. Në periudha të vëçanta nënprefektura mori në disa raste emërtimin “rreth”. Prefektura ishte njësia më e madhe e qeverisjes vendore e drejtuar nga prefekti, i cili emërohej nga Ministri i Brendshëm dhe aprovohej nga Presidenti e më pas nga Mbreti. Prefekti kishte funksione ekzekutive. Në prefekturë e nënprefekturë mungonin organet e zgjedhura. Këshilli Administrativ i prefekturës përbëhëj nga shefat e zyrave dhe nga disa (si rregull 2) anëtarë të zgjedhur nga populli për dy vjet. Këshilli Administrativ dekretohej nga Ministri i Brendshëm.

Në vitin 1927 Shqipëria kishte 10 prefektura, 39 nënprefektura, dhe 69 krahina me 2351 fshatra.

Në vitin 1934 kishte 10 prefektura, 30 nënprefektura, 160 komuna me 2351 fshatra. Në vitin 1940 kishtë 10 prefektura, 30 nënprefektura, 23 bashki, 136 komuna dhë 2551 fshatra.

1945 - 1992

Pas vitit 1945, u bënë shumë ndryshime në strukturën e ndarjes administrative dhe në numrin e çdo elementi strukturor të kësaj ndarjeje.

Në vitin 1945 u ruajt  ndarja administrative me 10 prefektura dhe 61 nënprefektura, por u suprimuan komunat dhe bashkitë.
Në vitin 1946 u bë ndarja e re administrative me 10 prefektura, 39 nënprefektura dhe u fut në mënyrë të pjesshme lokaliteti.
Në vitin 1947 lokaliteti mori përparësi duke zëvendësuar komunën. Kështu, ndarja përbëhej nga prefektura, rrethi, lokaliteti me fshatra e qytete.

Në vitin 1953 qarku zëvendësoi prefekturën. Kjo ndarje e re përfshinte dhjetë qarqe: Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Berat, Korçë, Gjirokastër, Dibër dhe Kukës. Ligji parashikoi zgjedhjen e Këshillit Popullor të Qarkut. Brenda qarqeve u caktuan 26 rrethe dhe çdo rreth kishte tre ose më shumë lokalitete.

Në mes të viteve ‘50 u bë riorganizimi i ndarjes administrativo-territoriale në katër qarqe: Elbasan, Gjirokastër, Korçë, dhe Shkodër, me nga 3-4 rrethe në çdo qark. Berati, Durrësi, Fieri, Kukësi, Kruja, Lushnja, Mati, Peshkopia, Skrapari, Tirana, Tropoja, Vlora dhe qyteti i Tiranës dolën më vete në nivel rrethi. Ndarja vazhdoni me lokalitetet, fshatrat dhe qytetet.

Në korrik të vitit 1958  u suprimua qarku dhe u krijuan 26 rrethe. Qyteti i Tiranës ruajti nivelin e rrethit. Sipas kësaj ndarjë, kishte 26 rrethe, 203 lokalitete, 2655 fshatra, 39 qytete dhe disa nga këto kishin lagje.

Pas vitit 1967 shfaqet emërtimi i ri fshati i bashkuar. Krahas fshatrave të bashkuara që kishin kompaktësi territoriale, u shfaqën fshatra të bashkuara me shkëputje territoriale. Kjo lidhej me organizimin ekonomik të ndërmarjeve bujqësore. Në vitin 1968 kishtë 26 rrethe, 437 fshatra të bashkuara, 2641 fshatra, 65 qytete dhë 178 lagje qytetesh.

Në vitin 1990 kishte 26 rrethe, 539 fshatra të bashkuara, 2848 fshatra, 67 qytete, 306 lagje qytetesh. Qyteti i Tiranës përbëhëj nga 3 rajone, të cilat përfshinin disa lagje.

Duke filluar nga viti 1945, në nivelet e organizimit të ndarjes administrativo-territoriale në fshat, fshat i bashkuar, lokalitete, qytete, rrethe e qarqe, u krijuan edhe këshillat popullore që zgjidheshin nga populli me mandat trevjeçar. Po ashtu, në çdo njësi kishte edhe struktura ekzekutive nën varësinë e këshillave. Në nivel fshati dhe fshati të bashkuar, funksioni ekzekutiv kryhej nga kryetari dhe sekretari i këshillit. Në këshillat popullore të rretheve kryhej nga komiteti ekzekutiv, i cili, ndonëse zgjidhej nga këshilli popullor i rrethit, konsiderohej edhe si organ lokal i administratës shtetërore, duke qenë njëkohësisht në varësi të këshillit popullor të rrethit dhe të qeverisë.

1992 - 2013

Në vitin 1992, në bazë të nënit 1 të ligjit nr.7572, dt.10.06.1992 “Për organizimin dhë funksionimin eë pushtetit lokal” Këshilli i Ministrave në qershor 1992 bëri ndryshime në ndarjen administrativo-territoriale. Ai përcaktoi 36 rrethe, 44 bashki dhe 313 komuna. Në nivel rrethi, bashkie dhe komune u ngritën këshillat lokalë me të zgjedhur nga populli dhe kryetarët e bashkive dhe komunave si organ ekzekutiv të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Më pas, në bazë të ligjit nr.7608, dt.22.09.1992 “Për prefekturat”  u krijuan 12 prefektura si njësi që drejtohen nga prefekti i emëruar nga Këshilli i Ministrave. Çdo prefekturë përfshinte 2 - 4 rrethe.

Nga viti 1992 deri në vitin 2000 janë bërë disa ndryshimë të pjesshme në ndarjen administrativo-territoriale pa ndryshime strukturore. Në vitin 2000 Shqipëria kishte 36 rrethe, 65 bashki dhe 309 komuna. Në vitin 2000 me ligjin nr.8653, dt.31.07.2000 u suprimuan rrethet si njësi administrative dhë u krijuan rishtas qarqet. Pas vitit 1992, bashkitë ngrihën me bazë qyteti. Në raste të veçanta ato përfshijnë një qytet dhe fshatra. Komunat si rregull përfshijnë fshatra. Në raste të veçanta ka komuna që përfshijnë edhe një qytet. 


Disa karakteristika 

Duke analizuar zhvillimet në ndarjen administrativo-territoriale të Shqipërisë pas vitit 1945, mund të vemë re se:
  • Numri i prefekturave dhë i qarqeve ka mbetur thuajse i njëjtë (nga 10 në 12). Rritja me dy prefektura apo qarqe nuk përbën ndryshim esencial në funksionimin apo shtrirjen e tyre. 
  • Me krijimin e qarqeve në vitin 2000 u suprimuan prefekturat si njësi territoriale. Prefekti mbetet përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave në qark.
  • Numri i fshatrave të bashkuara, qyteteve, komunave dhe bashkive ka pësuar ndryshime të shumta për arsye nga më të ndryshmet. Në vitet ‘70 dhe ‘80 numri i tyre ishte rreth 400. Në vitet ’80 e ’90 numri i tyre u rrit shumë. Kjo ndodhi shpesh edhe si rezultat i copëzimit të disa prej ish-kooperativave dhe ndërmarjeve bujqësore.
  • Numri i rretheve për afro 40 vjet ka qënë konstant. Në 10-vjeçarin e fundit është rritur numri i rretheve me 10 rrethe të reja. Kjo është shprehje e tendencave për vetëqeverisje, por nuk reflekton gjithnjë zhvillimin e këtyre njësive. Shtimi i numrit të rretheve dhe pakësimi i territorit të rretheve, sidomos të rretheve të vogla apo të atyre që u krijuan rishtas, ndikuan negativisht në ushtrimin e misionit të tyre, gjë që solli suprimimin e rretheve si njësi vetëqeverisëse.

2014

Viti 2014 shënoi një pikë kthese historike në organizimin administrativo-territorial të Shqipërisë. Më 31 korrik 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Ndarja e re territoriale i dha fund fragmentimit të skajshëm administrativ të vendit, duke e organizuar tashmë territorin dhe qeverisjen vendore në vetëm 61 bashki.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al