Procesi hartimit

Qeveria caktoi si një nga prioritetet kryesore të programit të saj kryerjen dhe zbatimin e reformës administrativo-territoriale, me synim rritjen e efiçencës së shërbimeve publike vendore dhe fuqizimin e njësive të qeverisjes vendore.

Procesi i kryerjes së reformës administrativo-territoriale u bazua në disa faza që ishin: ngritja e strukturave përkatëse; analiza dhe studime të situatës së qeverisjes vendore, konsultimi dhe miratimi i kritereve teknike ku do të bazohej ndarja e re territoriale, hartimi dhe miratimi i 5 varianteve të ndarjes territoriale dhe miratimi i variantit përfundimtar. Të gjitha këto u shoqëruan nga një proces i gjerë informimi dhe konsultimi të vazhdueshëm me të gjithë aktorët e interesuar dhe qytetarët.

Ngritja e strukturave

Procesi i reformës administrativo-territoriale, ju ngarkua Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore si dhe Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale të krijuar në janar 2014, si struktura vendimarrëse në procesin e reformës.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore në fillim të muajit tetor 2013, ngriti grupin e ekspertëve vendas dhe të huaj si dhe sekretariatin teknik të reformës. Gjithashtu me Urdhrin e Kryeministrit u krijuan 12 grupe pune rajonale në çdo qark si dhe 12 koordinatorë teknikë rajonalë.

I gjithë procesi dhe strukturat u mbështetën nga asistenca teknike dhe financiare e projektit “STAR”, financuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, qeveria suedeze, qeveria zviceriane, qeveria italiane, Organizata për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara (PNUD) si dhe Këshilli i Evropës, OSBE, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, Ambasada Austriake, etj.


Analiza dhe studime

Procesi i reformës administrativo-territoriale u mbeshtet në analiza të detajuara të situatës dhe studime të kryera nga grupi i ekspertëve teknikë, në organizmin e disa vizitave studimore në vendet që kanë kryer ose janë duke kryer reforma territoriale. Një seri konferencash, seminaresh dhe tryeza pune janë organizuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore ose nga organizata, institute dhe shoqata që kanë ndihmuar në përgatitjen e propozimit për ndarjen e re administrativo-territoriale.

Gjithashtu në këtë fazë është organizuar një mision i posaçëm teknik (peer revieë) me 8 ekspertë nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës që asistuan për hartimin e kritereve teknike.

Produkt i kësaj faze janë dy raporte të detajuara: “Raporti i Analizës së Situatës së Qeverisjes Vendore në Shqipëri”             që argumentuar nevojën dhe avantazhet e riorganizimit administrativo-territorial të Shqipërisë si dhe “Raporti i “zonave funksionale” që shërbeu si metodologjia bazë për përgatitjen e hartës së re të ndarjes administrativo-territoriale të Shqipërisë.

Konsultimi dhe miratimi i kritereve teknike

Propozimi i ndarjes së re administrativo-territoriale u bazua në një grup kriteresh teknike të miratuara nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar më datë 28 prill 2014. Kriteret teknike ishin baza kryesore dhe më e rëndësishme e përgatitjes së hartës së re administrativo-territoriale.

Miratimi i kritereve teknike nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar u parapri nga një fazë e thellë analizash dhe studimesh nga grupi i ekspertëve gjatë periudhës nëntor 2013-mars 2014.

Më tej këto kritere ju nënshtruan një procesi të gjerë konsultimi me përfaqësues të qeverisjes vendore, shoqatat e të zgjedhurve vendorë si dhe me grupet e interesit, në të gjitha qarqet e Shqipërisë në periudhën mars-prill 2014 (raundi i parë i konsultimeve publike). Në këtë proces konsultimi morën pjesë 1218 persona.

Konsultimi dhe miratimi i ndarjes së re territoriale

Më 16 maj 2014, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, mbi bazën e kritereve të miratuara, prezantoi propozimin me 5 variante të hartës së ndarjes së re administativo-territoriale. Një jave më pas Komisioni i Posaçëm Parlamentar miratoi variantin e hartës me 39/47 njësi të qeverisjes vendore, i cili bazuar në Kushtetutë dhe ligjin organik të qeverisjes vendore 8652/2000, ju nënshtrua procesit të konsultimit publik që përfshiu 1785 përfaqësues të grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe sektorit privat.

Gjithashtu për marrjen e mendimeve të komunitetit u zhvillua sondazhi më i madh kombëtar, me një kampion prej 16000 të intervistuarish, 67% e të cilëve u shprehën në mbështetje të reformës adminstrativo-territoriale.

Në përfundim të procesit dy mujor të konsultimit publik, Komisioni i Posaçëm Parlamentar në mbledhjen e tij të datës 17 korrik 2014 miratoi variantin përfundimtar të hartës së ndarjes së re administrativo-territoriale me 61 bashki.

Më 31 korrik 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.