img7

Çuçi: Reforma territoriale, në fuqi për zgjedhjet e 2015

Gazeta Shqiptare, 23 mars 2014 - Synimi i mazhorancës është që reforma e re administrative- territoriale të jetë gati në zgjedhjet e 2015-ës. E në bazë të këtij modeli do të përcaktohen më pas edhe kandidatët për kryetarë bashkish e komunash. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi sqaroi dje, në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, se “paketa ligjore duhet të dërgohet për miratim në Kuvend përpara mbylljes së këtij sesioni parlamentar”. Ai u shpreh se mazhoranca kërkon që opozita të bëhet pjesë e këtij procesi, por “shikohet një qëndrim ambig dhe inkoherent i opozitës në kundërshtim me deklaratat e saj publike”, - u shpreh ministri. Sipas tij, “letra e fundit që kryeministri Rama i dërgoi kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është një dëshmi e prekshme e këtij vullneti të palëvizshëm të mazhorancës qeverisëse”. I pyetur në lidhje me fatin që do të kenë minoritetet, pas kësaj ndarjeje të re, Çuçi shprehet se: “Për ato njësi vendore ku minoritetet janë shumicë, ne do të aplikojmë standardet e gjithëpranuara nga marrëveshjet ndërkombëtare”. 

Zoti Ministër, menjëherë me ardhjen në pushtet, ju ndërmorët nismën për reformën administrative-territoriale, për të cilën është folur kaq shumë. A keni një afat se kur mund të bëhet i mundur realizimi i kësaj reforme? 
I gjithë procesi i reformës administrative-territoriale është i kushtëzuar me kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme vendore në muajin qershor 2015 dhe ne synojmë që reforma të bëhet efektive menjëherë me kryerjen e zgjedhjeve vendore vitin e ardhshëm, pra hyrja në fuqi e saj do të bëhet në këtë afat. Për t’u bërë e mundur kjo gjë, do të duhet që e gjithë paketa ligjore të dërgohet për miratim në Kuvend përpara mbylljes së këtij sesioni parlamentar. 
Mendoj se është esenciale për procesin e reformës administrative-territoriale, që të përfitohet nga momenti i favorshëm në të cilin ajo po merr formë. Ju kujtoj se përpjekjet, në të shkuarën, për të kryer një reformë të këtyre përmasave, kanë dështuar, veç të tjerash, edhe sepse kanë pasur përballë murin e indiferencës së klasës politike dhe opinionit publik. Sot ndodhemi, fatmirësisht, në kushte krejt të ndryshme, kur shoqëria shqiptare duket e pjekur dhe e ndërgjegjshme për domosdoshmërinë e një reforme të tillë. 
A do të mund të bëhet kjo reformë pa opozitën, e cila ende nuk ka pranuar të marrë pjesë në komisionin e posaçëm që është ngritur nga Kuvendi? 
Që në krye të herës, mazhoranca e ka deklaruar se është për një proces gjithëpërfshirës dhe transparent duke synuar konsensusin e opozitës. Për këtë ne kemi ofruar të gjitha instrumentet ligjore që të garantojmë konsensusin e opozitës, duke krijuar një komision të posaçëm parlamentar me barazi anëtarësh dhe bashkëkryesi të këtij komisioni nga përfaqësuesi i pozitës dhe opozitës, si dhe çfarë është më e rëndësishme, ne kemi ofruar të drejtën e vetos për këtë reformë. Prandaj, nëse ne do të donim ta miratonim pa konsensusin e opozitës këtë reformë, nuk do të jepnim garancitë që kemi dhënë. 
Nga ana tjetër, qartazi shikohet një qëndrim ambig dhe inkoherent i opozitës, në kundërshtim me deklaratat e saj publike. Nga njëra anë PD-ja thekson se reforma duhet bërë dhe për këtë ka disa deklarata të zotit Basha. Vetë kjo parti e ka reformën administrative-territoriale edhe si pjesë të programit të sajin elektoral të viteve 2005 dhe 2009. Ndërkohë, ne plotësuam edhe kushtin e saj, për të pasur të drejtën e vetos në Komisionin parlamentar të Reformës. Atëherë unë ngre pyetjen: Pse PD-ja del kundër reformës administrative-territoriale?! 
Gjithsesi po e nënvizoj edhe një herë, ashtu siç është bërë në të shkuarën, se vullneti ynë mbetet ai i kryerjes së një reforme, në të cilën të jenë të pasqyruara të gjitha kontributet dhe i gjithë vullneti politik i të gjitha forcave kryesore politike, që përfaqësojnë masa të mëdha votuesish shqiptarë. Letra e fundit që kryeministri Rama i dërgoi kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është një dëshmi e prekshme e këtij vullneti të palëvizshëm të mazhorancës qeverisëse. Urojmë që këto mesazhe të drejtpërdrejta dhe të hapura, të kontribuojnë që opozita të dalë nga izolimi ku e ka futur veten, për t’u bërë pjesë e procesit dhe për t’i dhënë të gjithë së bashku vendit, një reformë moderne dhe që është produkt i vullnetit të të gjithëve. 
Ju keni zhvilluar tashmë takime për sqarimin e kësaj reforme dhe për ndarjen e përgjegjësive që vendorët do të marrin në këtë reformë. Cilat janë përshtypjet që keni marrë nga vendorët? 
Më lejoni t’ju them se kam ndjerë atë diferencë që shpesh thuhet se ekziston mes asaj që quhet “Shqipëria e bulevardit” dhe pjesa tjetër e vendit. Konflikti dhe antagonizmi politik i Tiranës vjen dhe zbutet dukshëm teksa merr kontakt me njerëzit e thjeshtë dhe drejtuesit vendorë. Fakti që vetë ata të parët e kanë kuptuar që na nevojitet një reformë e qeverisjes lokale, tregon se klima është pjekur. Absolutisht, në shumicën e tyre, përfaqësuesit e qeverisjes vendore bien dakord me nevojën emergjente që ka vendi për reformën administrative-territoriale, si dhe janë shprehur edhe për propozime konkrete për riorganizimin territorial. Pra në mënyrë shumë konstruktive është kuptuar që njësitë e vogla vendore nuk mund t’i ofrojnë shërbimet për qytetarët, prandaj e shikojnë si një instrument për të zgjidhur këtë situatë. Gjithashtu kërkohet që reforma administrative të shoqërohet me reformën e decentralizimit për të cilën jemi duke punuar paralelisht. 
Shumë nga njësitë administrative do të shkrihen, si rrjedhojë e asaj çfarë është deklaruar deri më tani për këtë reformë. Ekziston një shqetësim i minoritetit. A keni ju një garanci për ta se nuk do të ndahet popullsia e këtyre zonave? 
Për ato njësi vendore ku minoritetet janë shumicë, ne do të aplikojmë standardet e gjithëpranuara nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe nga praktikat më të mira evropiane, posaçërisht duke iu referuar Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për minoritetet. Pra nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në këtë drejtim dhe për këtë i kam garantuar në disa takime radhazi përfaqësuesit e minoriteteve etnike në vendin tonë. 
Ditët e fundit është publikuar një propozim nga Shtetiueb për hartën e re administrative-territoriale. Si e gjykoni këtë projekt-ide? 
Ne inkurajojmë me forcë që shoqëria civile në përgjithësi të bëhet pjesë e proceseve reformuese në vend dhe, parë në këtë këndvështrim, çdo lloj propozimi është i mirëpritur. Personalisht jam njohur me propozimet nga Shtetiueb. Kanë qenë propozime interesante që kanë ngjallur debat edhe në publik, por qasja jonë bazohet në kritere dhe në metodologji teknike të ndryshme, kështu që jemi të prirur për të shikuar një konfigurim ndryshe nga ai i paraqitur nga Shtetiueb. 
A do të caktohen kandidatët për zgjedhjet vendore 2015, në bazë të hartës së re e ndarjes së re? Do të jetë gati kjo reformë deri në atë kohë? 
Siç e theksova edhe më lart, ne synojmë që reformat të hyjnë në fuqi me zgjedhjet e reja vendore në 2015-ën, çka nënkupton që kandidatët do të garojnë për njësitë e reja vendore sipas hartës së ndarjes administrative-territoriale të vendit. Besoj që me vullnetin politik dhe angazhimin e të gjitha palëve do të përmbushim afatet e duhura që reforma të miratohet në kohën e duhur. Nuk do të kishte kuptim një reformë e pushtetit vendor, e cila nuk zbatohet në praktikë në zgjedhjet e vitit 2015.

Darina Tanushi

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al