img7

Çuçi në Tete a Tete: I kemi votat për reformën, por ftojmë opozitën

Shqiptarja.com, 22 janar 2014 - Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, ishte i ftuari i rradhës në emisionin Tete a Tete, në A1 Report, i drejtuar nga gazetari Artur Nura. Gjatë intervistës së tij, Çuçi tha se, mazhoranca i ka bërë ftesë opozitës që të bëhet pjesë e komisionit parlamentar për reformën territoriale.

Duke folur për deklaratën e opozitës, Çuçi tha se, “e lexoj pak më ndryshme, si një lloj reflektimi ndaj qëndrimit që ka pasur opozita ndaj çdo reforme.  Deklaratën e sotme e shikoj si një lloj dëshirë për tu bërë pjesë e komisionit parlamentar për reformën parlamentare”.

“Mazhoranxa i ka të gjitha votat për të miratuar këtë reformë, por ama sërish e fton opozitën të bëhet pjesë e këtij komisioni duke i dhënë edhe të drejtën e vetos dhe asnjë vendim i komisionit nuk do të merret pa marrë mbështetjen e opozitës”, deklaroi ministri Bledi Çuçi.

Sipas ministrit Çuçi, qeverisja e kaluar gjatë 8 viteve nuk bëri asgjë për këtë reformë edhe pse e kishte si prioritet në programin e saj. “PD e kishte në program këtë reformë por nuk e bëri”, tha Çuçi. Sipas tij, “edhe vetë opozita e sotme e ka prioritet reformën territoriale dhe këtë e tha sot edhe Basha”.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore tha se, kjo është një reformë territoriale kërkon bashkëpunim. “Kjo është një reformë e rëndësishme dhe duhet bërë në bashkëpunim me të gjitha palët pasi është reformë e brishtë”, deklaroi Çuçi.

Për ministrin, “sot jemi në momentin që parlamenti është gati për të ngritur një komision parlamentar”. “Reforma territoriale nuk është çështje vetëm e qeverisë, opozitë, qytetarëve, por është çështje e të gjithëve, është një çështje gjithëpërfshirëse dhe kërkon një proces transparent”, theksoi gjatë fjalës së tij, ministri Bledi Çuçi.

Sipas ministrit Çuçi, nëse do të bëhej reforma e re territoriale buxhetit të shtetit do i shtoheshin miliona dollarë. Sipas tij, “ndarja e sotme territoriale ka sjellë probleme në funksionim e qeverisjes vendore. Mbi 150 komuna në vend marrin vetëm lekë nga shteti dhe nuk kthejnë asgjë në buxhet”.

“Administrata e 308 komunave që ekzistojnë në Shqipëri, ka një kosto prej 25 milionë dollarësh në vit dhe 60 % e këtyre komunave nuk bën asgjë për qytetarët. Nga i gjithë biznesi i vogël në gjithë Shqipërinë, kuntribuon sot në buxhetin e Shqipërisë prej 20 milionë lekësh”, deklaroi Çuçi.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, duke folur përballë gazetarit Artur Nura tha se, do të shkurtohet më shumë se gjysma e komunave aktuale në Shqipëri. Sipas tij reforma territoriale do të shkurtojë më shumë se 50 % të komunave.

“Ne nuk nisemi me numër, por kemi vendosur disa kritere. Do të ketë një shkurtim të ndjeshëm të këtyre komunave që do të shkojë më shumë se 50 % e komunave aktuale. Suedia në luftën e II botërore doli në mbi 2200 komuna dhe tani ka 220 komuna”, deklaroi gjatë intervistës së tij Çuçi.

Sipas ministrit, “Suedia ka bërë dy herë reformë territoriale, ndërsa ne nuk kemi ndryshuar asgjë nga para vitit 1990. Para këtij viti Shqipëria ishte 30 % e popullisë në qytet dhe 70 % në fshat, ndërsa sot ka ndryshuar përqindja e popullisë. Edhe rajoni ynë ka tjetër praktikë për këtë çështje dhe ne kemi edhe boxhe nga e kaluara”.

“Shqipëria ka nevojë urgjente për ndarjen e re territoriale dhe për këtë qëllim miqtë tanë ndërkombëtarë na kanë dhënë mbështetje. E pikërisht nesër do të nënshkruajmë një marrëveshje me USAID, Suedinë, Italinë, Austrinë, Zvicrën, e do të jetë edhe ambasadori i BE-së pasi edhe në progres-raportin është vënë  theksi në këtë reformë”, tha gjatë intervistës së tij në A1 Report, ministri Bledi Çuçi.

Duke folur për luftën ndaj korrupsionit, ministri i Shtetit për Çcështjet Vendore, Bledi Çuçi tha se,  është duke u bashkëpunuar me të gjitha institucionet për ta luftuar këtë fenomen që në rrënjë, pasi po e gërryen shoqërinë shqiptare.

“Cila është strategjia që ju do jeni rezultativ në luftën ndaj korrupsionit. Korrupsioni është i përhapur kudo dhe është një sëmundje që po e gërryen shoqërinë shqiptare. Qasja jonë ka qenë shumë e qartë në lidhje me këtë çështje. Ne e ngritëm një nivel më të lartë në një kordinator kombëtar. Dhe lufta ndaj korrupsionit ka nevojë për një koordinim dhe ky është roli, për kordinimin e të gjitha institucioneve qeveritare dhe të pavarura në luftën ndaj korrupsionit”, deklaroi Çuçi.

Në fund ministri tha se, do të ngrihet një sistem i unifikuar për të kontrolluar denoncimet dhe ecurinë e tyre. “Do të ngrejmë një sistem të unifikuar dhe do të vendoset në çdo institucion dhe në momentin që do ti raporton që e ke çuar dosjen në prokurori, ai të jep sinjal. E këtu mund të gjesh gjithë panoramën e një çështjeje, a ka shkuar në prokurori, apo ka mbërritur në gjykatë”, përfundoi intervistën e tij në emisionin Tete a Tete në A1 Report, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi. 

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al