img7

Bledi Çuçi: Nuk do ta presim pafund opozitën për reformën territoriale

Gazeta Mapo, 28 shkurt 2014 - Shkarkimi i Zana Xhukës, shkrirja e pritshme e AMA-s dhe zhbërja e statusit të Nëpunësit civil, pas pak muajsh as nuk do të jenë harruar, por as nuk do të jenë të pranishme në axhendën e ditës aq sa do të jetë ndarja mes dy kampeve politike për “ndarjen e re territoriale” të vendit, e cila do të përdoret në zgjedhjet lokale të vitit që vjen dhe ku duket se pjesëmarrja e opozitës nuk është e sigurt. Deri tani palët janë duke përdorur gjuhën e drunjtë të presionit për të marrë secila maksimumin politik; qeveria reformën dhe autorësinë e saj dhe opozita, bashkë me shmangien e ndonjë “salamandre” elektorale, rivendosjen e konsensusit të prishur prej nëntorit të kaluar. Por qeveria në pritje të plotësimit të vendeve nga opozita në Komisionin e Posaçëm parlamentar ka nisur konsultimet me bashkiakët dhe komunarët socialistë për t’u shpjeguar road-map-in ku do të ecet. Bledi Çuçi, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, është i mendimit se shumica nuk mund të presë pafund, pasi siç thotë ai, “rrezikojmë që ta humbasim shansin për ta bërë këtë reformë dhe kapja e momentit është shumë e rëndësishme në realizimin e këtyre reformave”.

Qeveria dhe ju personalisht keni nisur konsultimet për reformën administrativo-territoriale, pa garantuar konsensusin me opozitën për këtë çështje. Në këtë klimë të tensionuar politike, mbi ç’shina do të ecë qeveria me këtë reformë? A mendoni se ajo duhet realizuar me çdo kusht, edhe pa pjesëmarrjen e PD dhe në ç’mënyrë? 

Reforma administrativo-territoriale është një çështje që qëndron pezull në axhendën politike të vendit që prej vitit 2000 dhe nëse ka diçka që politika shqiptare u mbetet borxh qytetarëve është pikërisht mosbërja e kësaj reforme. Mbajtja në këmbë e një sistemi jofunksional të qeverisjes vendore gërryen prej vitesh financat publike të vendit, duke rënduar xhepat e qytetarëve dhe duke ofruar shërbime gjysmake publike (në shumë raste duke mos ushtruar fare) në nivelin vendor, çka detyron të gjitha kahet e politikës për të marrë masa konkrete në drejtim të kësaj reforme. Kujtoj këtu që edhe PD-ja e ka pasur në programin e saj politik të vitit 2005 dhe 2009  kryerjen e reformës dhe është deklaruar publikisht për domosdoshmërinë e reformës. Kjo është situata politike në të cilën mazhoranca qeverisëse dhe unë personalisht si ministër i ngarkuar për reformën territoriale e kemi vendosur këtë reformë si prioritet absolut qeverisës. Nga ana tjetër, mazhoranca duke konsideruar gjithëpërfshirjen dhe transparencën për zbatimin e reformës si parime kyçe, i ka ofruar opozitës të gjitha garancitë kushtetuese dhe politike, përfshirë edhe të drejtën e vetos, që të ketë konsensusin e saj dhe mendoj që opozita duhet të ngrihet përtej politikës së ditës dhe të tregojë që realisht është e interesuar për të mbështetur reformat e domosdoshme për vendin dhe jo thjesht të krijojë alibira politike apo tensione të panevojshme që nuk i shërbejnë progresit dhe që në fakt dëmtojnë qytetarët. Pra pyetja duhet shtruar, nëse PD-ja do japë konsensusin për reformën territoriale apo do vazhdojë, që për interesa të vogla pragmatike, të qëndrojë në llogoren e vet politike kundra interesit të përgjithshëm publik që imponohet për të dyja palët në kryerjen e reformës. Thënë ndryshe, a e justifikon domosdoshmëria bërtitëse për një reformë territoriale të Shqipërisë, heqjen dorë nga një qëndrim bojkotues të opozitës nisur vetëm nga rrethana politike të çastit? Unë them se po.

Opozita ka vendosur kushte për pjesëmarrjen në reformë, duke mos pasur besimin se qeveria e respekton konsensusin. A i druheni faktit se bërja e reformës pa konsensus mund t’ju fusë në një situatë edhe më të komplikuar politike për zgjedhjet lokale të 2015-ës, ku mund të ketë bojkot nga PD? Në këto kushte, a nuk do të ishte më e udhës që qeveria të bënte gjithçka ka në dorë për konsensusin e më pas të niste nga puna?

Mazhoranca qeverisëse ka bërë tashmë gjithçka përsa i përket arritjes së konsensusit me opozitën, përfshirë edhe ngritjen e një komisioni parlamentar bipartizan dhe me të drejtën e vetos për opozitën, gjë që kjo opozitë s’e ka bërë asnjëherë më parë kur ka qenë ajo në krye të punëve të vendit. E drejta e vetos ka qenë kushti i vënë nga PD-ja dhe që u garantua prej nesh, por që e zuri në befasi opozitën, e cila mendonte se ne nuk do t’ia jepnim këtë të drejtë. Kështu që mendoj se jemi treguar si gjithmonë mirëkuptues dhe bashkëpunues kur vjen puna për reformat e domosdoshme që i duhen vendit. Nga ana tjetër, opozita jo vetëm që po i ikën konsensusit duke nxjerrë kushte të tjera që s’kanë lidhje në fakt me reformën territoriale, por kërcënon me bojkot në zgjedhjet lokale. Është kjo opozitë që ka denoncuar më parë bojkotin si një instrument të papranueshëm në një demokraci, ndërsa aktualisht po tregon mungesë serioziteti dhe vizioni në trajtimin e sfidave që përballet vendi dhe po tregohet tërësisht e paqartë në qasjen ndaj kësaj reforme. Nga ana tjetër, ne nuk mund të presim pafund, pasi rrezikojmë që ta humbasim shansin për ta bërë këtë reformë dhe kapja e momentit është shumë e rëndësishme në realizimin e këtyre reformave. Më lejoni t’ju kujtoj në këtë rast miratimin e Kushtetutës. Edhe atëherë opozita (e njëjtë më këtë të sotmen) nuk e dha konsensusin për miratimin e saj, madje e kundërshtoi dhe deklaroi se nuk e njihte e megjithatë, ajo është ende sot e gjithë ditën në fuqi. Qëndrimi i opozitës në këtë rast më kujton një shprehje të komedianit të famshëm Mort Sahl (babai i “stand-up comedy” ) të cilën po e citoj në anglisht “A conservative is someone who believes in reform. But not now.”

Javët e fundit ka pasur një përpjekje nga kryeministri Rama për të gjetur mbështetje tek eksponentë të së djathtës, që nuk bëjnë pjesë në opozitën zyrtare. E kam fjalën tek takimet me Shpëtim Idrizin e PDIU-së dhe ish-presidentin Bamir Topi. A mund të konsiderohen ata, aleatët e rinj të qeverisë për reformën territoriale, megjithë rrezikun e komentuar tashmë si përpjekje e Ramës për të “shpikur” opozitën që i volit?

Në fakt, “shpikja” e opozitave është instrument dhe qasje që PD-ja e ka përdorur rëndom kur ka qenë në pushtet, ndërkohë vizioni ynë qeverisës nuk ka të bëjë aspak me këtë që ju thoni. Vendosja e urave të komunikimit midis politikanëve të kampeve të ndryshme politike tregon pjekurinë e kësaj mazhorance dhe është standard i aplikuar gjerësisht në demokracitë e vendeve evropiane. Përpjekja për të demonizuar dialogun politik midis aktorëve të ndryshëm në politikë tregon në fakt për mungesën e alternativës së PD-së dhe qëndrimit brenda llogores politike që dëmton më së pari atë vetë në raport me votuesit e saj.

Në media kanë qarkulluar disa variante, sipas së cilave, Shqipëria do të jetë e ndarë në 70 apo 80 njësi vendore. Mbi ç’kritere do të bëhet përcaktimi i rajoneve të reja dhe sa rrezik ka që bashkimi i njësive aktuale të mos e ruajë kohezionin historik apo kulturor të tyre?

Kriteret që do të përdoren për reformën territoriale janë atribut i vendimmarrjes së Komisionit të posaçëm parlamentar, kështu që çdo gjë që lidhet me kriteret do të publikohet në momentin kur komisioni do të vendosë. Pas kësaj ne shumë shpejt mund të fillojmë zbatimin në terren të kritereve të miratuara nga komisioni dhe konsultimin e saj të gjerë me të gjithë aktorët politikë dhe publikun. Ndërsa çështja e numrave që mediat i referohen në fakt janë sugjerime të dala nga raportet apo studimet e institucioneve ndërkombëtare që janë marrë me këtë çështje. Unë gjej rastin që të shprehem se nga ekspertët teknikë që na këshillojnë për këtë çështje, rekomandohet se alternativa më e përshtatshme është garantimi i funksionalitetit të njësive të reja vendore, pra çështja e numrave është jo relevante në këtë debat, sepse bashkimi apo ndarja mekanike e njësive të reja vendore, që nuk garanton funksionalitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm do të ishte e gabuar dhe jo e këshillueshme. Patjetër që funksionaliteti dhe përfitueshmëria ekonomike si dhe ruajtja e  lidhjeve tradicionale të njësive të reja janë edhe kritere që imponohen nga Kushtetuta, që do të thotë se do jenë edhe kritere referuese.

Përveç kësaj reforme, qeveria ka në listë pritjeje një sërë ndërhyrjesh të tjera në drejtësi, arsim apo shëndetësi. Por të gjitha këto kërkojnë konsensus të gjerë, për të pasur jetëgjatësi përtej një mandati qeverisës. Sa e pengon klima e acaruar politike suksesin e një qeverie? Në këtë sens, a po korr Rama si kryeministër atë frymë konfliktualiteti që mbolli kur ishte në opozitë, me refuzimin e votës për disa nga reformat e asaj kohe?  

Patjetër që çdo reformë e kërkon konsensusin e gjerë të publikut dhe aktorëve politikë. Mazhoranca jonë ka ardhur në qeverisje me një mbështetje dhe konsensus të gjerë publik të qytetarëve, të cilët na kanë votuar dhe na kanë dhënë një shumicë të cilësuar të vendimmarrjes në parlament pikërisht për të bërë të mundur kryerjen e reformave që ju përmendni. Në këtë këndvështrim konsensusin e gjerë me qytetarët ne e kemi të garantuar. Ndërkohë a ka një klimë të acaruar politike ? Do të thosha që klima e acaruar është më tepër një fiksion politik i nxitur nga opozita e cila në pamundësi për të analizuar shkaqet e vërteta të disfatës së tyre elektorale po përpiqet të ngrejë kauza artificiale në dëm të ecurisë së vendit në procesin e integrimit europian dhe në dëm të kryerjes së reformave. Nëse do t’i referohem periudhës kur ne ishim në opozitë dua të nënvizoj se kemi qenë një opozitë konstruktive sidomos në periudhën 2005-2008 dhe kemi dhënë konsensusin tonë për reformat e mëdha, midis tyre kemi deklaruar edhe mbështetjen për reformën administrativo-territoriale, por që asnjëherë nuk u konsiderua nga mazhoranca e djeshme.

Në këto 5 muaj të qeverisjes ka pasur disa nisma të bujshme, por asnjë aksion që zgjidh në themel një problematikë të një fushe të caktuar. Nisi operacioni për lojërat e fatit dhe ende nuk ka një draft që rregullon këtë biznes, ai i ndërtimeve pa leje që nuk dihet si do të vazhdojë, me legalizimet po hasni gjithashtu probleme të paparashikuara. Sa ekziston rreziku i lodhjes së qeverisë, përballë kaosit që mbizotëron në shumë sektorë në vend, një simptomë kjo nga e cila kanë vuajtur edhe qeveritë paraardhëse?

Në qoftë se ju prisni që për 5 muaj ne të zgjidhim katrahurën e gatuar në 22 vite nga më së shumti keqqeverisja e Shqipërisë, atëherë në rastin më të mirë jeni të keqkuptuar. Ju siguroj që vizioni i qeverisë është zgjidhja e problemeve të vendit dhe trajtimi i tyre në sistem, pra duke ndërtuar dhe modernizuar sistemin e qeverisjes në mënyrë që ai të jetë i qëndrueshëm dhe afatgjatë. Për këtë patjetër që duhet kohë e nevojshme për të analizuar, diskutuar, konsultuar dhe në fund për të marrë vendimet e nevojshme. Çdo presion, qoftë edhe pozitiv, për të marrë vendime të nxituara për zgjidhje afatgjata, do të ishte kundërproduktiv dhe në dëm të zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë. Nga ana tjetër, sfidat e mëdha dhe problemet me të cilat u përballëm që ditën e parë të qeverisjes kërkonin ndërhyrje të menjëhershme dhe aksion të vendosur kundrejt paligjshmërisë që ishte ngritur në sistem nga mazhoranca e djeshme dhe për këtë reagimi qytetar ka qenë mjaft pozitiv. Ndërkohë që nuk mund të flitet për rrezikun e lodhjes së qeverisë kur ajo është vetëm 5 muaj në detyrë dhe në kulmin e energjive të saja për të çuar përpara reformat që i nevojiten vendit dhe çdo referencë të kundërt me këtë do ta konsideroja jo të bazuar në realitetin që shohim përditë.

A jeni në dijeni se qeveria ka krijuar shumë të pakënaqur në radhët e votuesve të majtë, të cilët bashkë me rotacionin, prisnin të punësoheshin në administratë? Si do t’i menaxhoni pakënaqësitë e tyre, kur dihet se është e pamundur që të punësohen të gjithë?     

Administrata publike është aseti më i vyer i çdo vendi që kërkon të ecë përpara në procesin e integrimit evropian dhe në këtë pikëpamje ndryshojmë me opozitën e sotme e cila e ktheu administratën në një çerdhe militantësh politikë. Thënë këtë dua t’ju bëj me dije se nuk ka asnjë pakënaqësi në votuesit e majtë që presin të punësohen në administratë, pasi kriter është meritokracia dhe votuesit e majtë e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër që nuk duhen përsëritur gabimet e së shkuarës dhe se të gjithë ata që janë të aftë për të shërbyer në administratën publike të vendit do të trajtohen sipas kërkesave të ligjit dhe jo sipas kritereve të përkatësisë politike.

Brukseli, për të dhënë statusin kërkon prova se kjo qeveri e ka seriozisht me vendosjen e shtetit ligjor. Rama këmbënguli edhe tek zhvillimet politike brenda BE-së. Cilat janë parashikimet për qershorin, pasi tendencat anti-zgjerim pas 6 muajsh pritet të jenë më të mëdha?

Më lejo të të them se qeveria e kaloi me sukses sprovën me Evropën administrative që në nëntor, madje me notë të lartë, pikërisht aty ku qeveria e kaluar kishte mbetur dy herë në klasë. I vetmi hezitim erdhi si një reagim spontan emocional nga ajo që unë do ta quaja Europa politike, që deri diku mund të pritej për shkak edhe të një historie gati 600-vjeçare keqkuptimi midis Shqipërisë dhe Europës. Por duke qenë spontan, mendoj se është tërësisht i rikuperueshëm, ndaj dhe jam besimplotë se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në BE brenda qershorit të këtij viti bazuar në ecurinë dhe performancën  e mazhorancës qeverisëse dhe lobimit të vazhdueshëm tonit për zbutjen e këtyre “emocioneve”. Patjetër që sfidat janë të mëdha, qoftë në kuadrin e zbatimit të reformave brenda vendit, ashtu edhe sa i përket vendeve anëtare të BE-së, që janë skeptike për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo që ne na motivon për të punuar më shumë në drejtim të integrimit të vendit në BE, është mbështetja që qytetarët dhe komuniteti ndërkombëtar na japin për reformat e rëndësishme që ne duam t’i zbatojmë dhe ky është motori shtytës për të shumëfishuar përpjekjet jo vetëm të qeverisë, por të gjithë spektrit politik dhe shoqërisë.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al