img7

Ministri i Çështjeve Vendore flet për mënyrën sesi do të vijojë procesi

Gazeta Shqip, 3 mars 2014 - Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi, i cili është koordinatori kombëtar për reformën administrativo-territoriale, rrëfen për gazetën “Shqip” mënyrën sesi do të vijohet me punën në terren për këtë nismë. Ai thekson se tani kur grupet e punës për reformën në të 12 qarqet janë krijuar, do të ndërmerren dy ture lëvizjesh nëpër Shqipëri. Në të parin, që do të nisë këtë javë, do të diskutohet me shqiptarët për kriteret mbi të cilat do të bëhet ndarja e re. Ndërsa i dytin, që do të shtrihet në mbi 50 njësi vendore në gjithë Shqipërinë, do të shërbejë për të diskutuar hartën e re administrative-territoriale, që do të dalë nga Komisioni Parlamentar për Reformën. Jo pa entuziazëm, Çuçi thekson se ishte një surprizë pozitive pjesëmarrja në mbledhjet e para të grupeve të punës, edhe të përfaqësuesve të opozitës, pavarësisht mospjesëmarrjes së përfaqësuesve lokalë të PD-së në Tiranë, nisur nga direktivat e qarta politike që janë dhënë nga përfaqësuesit e opozitës. Ai thotë se pavarësisht qëndrimit të opozitës, kjo reformë nuk do të pësojë bllokime. Çuçi shton se ligji shprehet qartë dhe detyron çdo kryetar bashkie apo komune, pavarësisht përkatësisë politike, të shprehet në mënyrë institucionale me shkrim, nëse është pro apo kundër reformës.

Z. Çuçi, si po ecën procesi i reformës territoriale? Në cilën fazë të përgatitjes është qeveria dhe a rrezikohet shkelja afateve të parashikuara?

Së pari, dëshiroj të nënvizoj kënaqësinë time për komunikimin dhe dialogun e vazhdueshëm që kemi vendosur në këto javë me mediat kryesore në vend. E konceptoj komunikimin me ju, e përmes jush me lexuesit tuaj, si një element kyç të reformës administrativo-territoriale, të cilën e konsideroj, pa asnjë mëdyshje, si njërën ndër ushtrimet më të vështira të maturisë demokratike, që ka ndërmarrë Shqipëria në dekadën e fundit. Për t’ju rikthyer pyetjes tuaj, mund të deklaroj jo pa kënaqësi, se reforma administrativo-territoriale po avancon sipas afateve që kemi pasur parasysh në fillimet e kësaj nisme. Ka nisur mbledhja e grupeve të punës në të 12 qarqet, me qëllim koordinimin e punës me pushtetet vendore, në funksion të hapave konkretë nëpër të cilat do të kalojë reforma. Ka qenë një surprizë e këndshme pjesëmarrja në mbledhjet e para të grupeve të punës, edhe të përfaqësuesve të opozitës, çka tregon se ka një vetëdije që shkon në favor të reformës, e cila është edhe më e fortë se udhëzimet e lidershipit politik dhe qëndrimet zyrtare të opozitës së djathtë. Pas këtyre hapave të para, bindja ime se reforma do të marrë formën përfundimtare brenda sezonit veror, është edhe më e fuqishme se më parë. Ne kemi planifikuar dy raunde/ture lëvizjesh në Shqipëri. I pari, i cili pritet të fillojë javës tjetër, do të shërbejë për të ndarë dhe për të diskutuar me shqiptarët kriteret mbi të cilat do të bëhet ndarja e re administrativo-territoriale. Është shumë e rëndësishme që të jemi transparentë me njerëzit për t’ia bërë sa më të qartë atyre se kjo reformë nuk bëhet për qëllime politike/elektorale, por ka si synim kryesor modernizimin e shtetit në funksion të rritjes së mirëqenies së komuniteteve vendore dhe krijimin e kushteve për zhvillim vendor të qëndrueshëm. I dyti, që do të jetë edhe më i rëndësishmi, do të shtrihet në mbi 50 njësi vendore në gjithë Shqipërinë dhe do të shërbejë për të diskutuar me grupet e interesit dhe përfaqësuesit e komuniteteve vendore projektin konkret të hartës së re administrativo-territoriale, që do të dalë si produkt i Komisionit Parlamentar për Reformën. Konkluzionet e këtyre takimeve do të jenë edhe pjesë e projektligjit të ri për ndarjen administrativo-territoriale.

Por, në një pjesë të madhe të qarqeve, vijojnë të mungojnë përfaqësuesit e opozitës, duke përfshirë këtu dhe atë të Tiranës. A përbën ndonjë ngërç për procesin në bazë, në rang qarqesh mosprania e opozitës?

Komisionet e krijuara në nivel qarqesh janë konceptuar si ura komunikimi dhe konsultimi të gjerë të reformës në të gjitha nivelet e qeverisjes, që nga qendra deri në nivelet më të afërta me qytetarët, duke krijuar një proces me dimensione sa më demokratike dhe qasje nga lartë-poshtë dhe anasjelltas nga poshtë-lartë. Duhet kuptuar që qeveria është e angazhuar për t’i krijuar hapësira komunikimi dhe ndikimi opozitës dhe përfaqësuesve të saj në të gjitha nivelet dhe këtu më duhet t’ju them që krijimi i këtyre komisioneve në qarqe është pritur shumë mirë nga të gjithë përfaqësuesit e pushtetit vendor si të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës, madje në shumë komisione përfaqësuesit e opozitës kanë marrë pjesë, duke treguar një interesim maksimal për këtë çështje. Fatkeqësisht nga përfaqësuesit e PD-së në Tiranë është politizuar edhe kjo mundësi dhe po përdoren direktivat politike për të bojkotuar procesin edhe në nivel vendor, gjë që në fakt bie ndesh me interesin legjitim dhe të natyrshëm të përfaqësuesve të pushtetit vendor për të marrë pjesë dhe për të influencuar procesin e kësaj reforme kaq të rëndësishme. Gjithsesi edhe në këtë pikë, ligji shprehet qartë dhe nuk do të ketë asnjë lloj ngërçi, pasi ligji jep të drejtë dhe detyron që çdo kryetar bashkie apo komune, pavarësisht përkatësisë politike të shprehet në mënyrë institucionale me shkrim nëse është pro apo kundër reformës.

Opozita, ndërkohë, po bllokon komisionin e posaçëm parlamentar të reformës territoriale. Çështja shtrohet deri kur mazhoranca mund ta presë opozitën, pasi ka dhe një afat fundor për realizimin e këtij procesi? Kam parasysh këtu dhe një deklaratë të ambasadorit amerikan Arvizu dhënë së fundmi, se mazhoranca i ka numrat, por duhet të presë dhe opozitën. Ambasadori përmendi dhe një takim me ju, a mund të na thoni pak për natyrën e bisedës?

Së pari, dëshiroj t’ju kujtoj se kjo reformë, si rrallëherë, ka pasur mbështetjen e fortë publike të të gjithë përfaqësuesve kryesorë diplomatikë në Tiranë dhe të qeverive e organizatave ndërkombëtare që ata përfaqësojnë. Kjo përbën një motivim dhe një shtysë të fuqishme për nismën që qeveria shqiptare ka ndërmarrë, si dhe një garanci të konsiderueshme për suksesin final të kësaj sfide. Ne nuk jemi të vetëm në këtë reformë. Kemi përkrahjen e plotë të partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtarë si delegacioni i Bashkimit Europian, OSBE, USAID, SIDA, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Agjencia Austriake për Zhvillim dhe UNDP. Së dyti, sa i përket deklaratave të ambasadorit Arvizu, mendoj se nuk ka asnjë surprizë në ato që ai thotë. Mund t’ju them se qeveria shqiptare sheh tek ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe ambasadorë të tjerë autoritarë, një faktor esencial për avancimin e reformave të mëdha për të cilat Shqipëria ka nevojë. Dhe reforma administrativo-territoriale është padyshim një e tillë. Sa për bisedën që kam pasur me zotin Arvizu, më lejoni që në respekt të një protokolli të njohur komunikimi diplomatik, ta le pa përgjigje pyetjen tuaj, megjithatë ju siguroj se me zotin Arvizu ndajmë absolutisht të njëjtën pikëpamje për sa u përket çështjeve që lidhen me reformën territoriale.

Zoti ministër, në mars pritet hartimi i një harte paraprake. A ka ndonjë projektide se sa do të jetë numri i njësive të qeverisjes vendore?

Është abuzuar shumë me atë që pretendohet të jetë harta përfundimtare e njësive vendore. Po ju kujtoj se sot ne numërojmë 385 njësi të tilla. Një shifër tejet e madhe dhe e praktikisht e pamenaxhueshme nga pikëpamja e financiare, por edhe territoriale. Kemi njësi vendore që nuk arrijnë të mbledhin asnjë taksë, pra që nuk kanë mundësi të ofrojnë asnjë shërbim për banorët e tyre. Kemi njësi vendore prej të cilave kanë ikur në masë banorët e dikurshëm dhe sot vijojnë të kenë të njëjtat stafe drejtuese, të njëjtat kompetenca mbi territoret e tyre dhe të njëjtat kosto financiare, ndërkohë që vetë struktura demografike e tyre është përmbysur. Është thënë dhe më parë që aktualisht 80% e komunave nuk ofrojnë asnjë shërbim për qytetarët e tyre. Sot, nuk ka asnjë mendje të shëndoshë që mund ta mohojë nevojën urgjente të ndryshimit të kësaj situate. Përveç mendjeve që veprojnë mbi kritere të ngushta politike, e jo mbi logjikën e shëndoshë që thotë se kjo gjendje duhet të marrë fund. Ne sot po përpiqemi të kurorëzojmë një proces reformimi që nis që nga viti 1998, me miratimin e kartës europiane të vetëqeverisjes vendore. Pra, ka kaluar një kohë jo e shkurtër, brenda së cilës shoqëria shqiptare ka reflektuar mbi nevojën e ndryshimit të strukturës së qeverisjes vendore. Vetë shoqata e komunave, pra autoritetet lokale, kërkon sot që të mos ketë më shumë se 160 njësi vendore në gjithë vendin. Një gjest fisnik që tregon njëherësh edhe shkallën e ndërgjegjësimit që është arritur, për uljen e numrit të njësive vendore. Çka në fakt nuk është elementi më i rëndësishëm, pasi boshti i reformës nuk është rrudhja numerike e njësive të qeverisjes vendore, por fuqizimi i tyre, konsolidimi dhe përmirësimi i menaxhimit të tyre, i shërbimeve që ato duhet t’u ofrojnë qytetarëve. Për t’ju rikthyer problemit të numrit, vitin e shkuar, për shembull, një grup ekspertësh suedezë, të cilët kryen një studim mbi gjendjen e pushtetit vendor në Shqipëri, rekomanduan që në vendin tonë të mos ketë më shumë se 80 njësi vendore. Nuk ka ende një shifër të saktë mbi numrin e njësive vendore, pasi ky numër do të dalë natyrshëm, në vijim të procesit. Qëllimi ynë nuk është shkurtimi apriori i njësive vendore. Nuk mund të jemi arbitrarë në këtë element thelbësor të reformës. Qëllimi i qeverisë është që në fund të rrugës, kur reforma të jetë mbyllur, bashkitë dhe komunat të jenë shumë të afta se sot, që të ofrojnë shërbimet publike që u takojnë me ligj, për qytetarët që i kanë votuar.

Ndërsa janë hedhur ide se opozita mund ta bllokojë procesin në Gjykatën Kushtetuese apo mund të kërkojë referendum. A është e përgatitur mazhoranca për një skenar të tillë?

Reforma administrativo-territoriale nuk do të bllokohet. Janë të gjitha kushtet dhe mundësitë që ajo të përmbyllet brenda afateve që përcakton axhenda kohore deri në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Ambicia e natyrshme dhe logjike e qeverisë shqiptare, është që zgjedhësit të votojnë me një strukturë të re ndarjeje territoriale pas një viti e gjysmë. Nëse kjo nuk do të ndodhte, gjasat që kjo reformë të shtyhet edhe një herë në kalenda, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën, janë të mëdha. Nuk dëshirojmë ta humbim këtë shans historik, për t’i dhënë vendit një reformë që do të shënojë një kthesë madhore në ecurinë e proceseve normalizuese e demokratizuese në Shqipëri. Opozita është ftuar të bashkëpunojë me të drejta të plota në tryezën e reformës administrativo-territoriale. Dëshiroj të besoj se përvoja që ajo ka, ekspertiza dhe kapacitetet që ajo zotëron, janë një kontribut që nuk duhet t’i mungojë kësaj ndërmarrjeje që meriton vullnetin e të gjithë përfaqësuesve të popullit shqiptar, e jo të një pjese të caktuar. Me këtë bindje mazhoranca vijon të presë kontributin e opozitës në ditët dhe javët që do të vijnë.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al