img7

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Shekulli, 30 dhjetor 2014 - Në janar pritet miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi në një intervistë për gazetën “Shekulli” shpjegon përgatitjet për garën e ardhme elektorale ndërsa fton opozitën të bëhet pjesë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Sa i përket deklarimeve të opozitës se nuk mund të bëhen zgjedhje me këtë ndarje territoriale, ministri pohon se “në rastin më të mirë ato mund të jenë vetëm alibi për të mos marrë pjesë në zgjedhje”. Ai sqaron gjithashtu se tashmë ka nisur procesi i implementimit të ndarjes së re territoriale në dy zonat pilot, në Pogradec dhe Urën Vajgurore ndërkohë janë përgatitur dhe ndryshimet në ligjin nr. 8652, datë 31 korrik 2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar”. Por, pohon ai, vitin që vjen do të rishikohet në themel ligji i organik i qeverisjes vendore.


 Zoti Çuçi reforma territoriale veç 88 votave të Kuvendit ka marrë dhe “bekimin” e Gjykatës Kushtetuese. Tashmë që kjo reformë është fakt, cili është hapi i radhës për implementimin e saj? 

Konfirmimi i kushtetutshmërisë së reformës territoriale i hap rrugën fazës së dytë të zbatimit të saj në praktikë. Tashmë kemi filluar fazën teknike të implementimit të reformës me pilotimin në 2 bashki konkrete të Pogradecit dhe Urës Vajgurore që do të shërbejnë si model për bashkitë e tjera. Piketat kryesore të kësaj faze konsistojnë në konsolidimin financiar dhe administrativ, përfshirë inventarizimin e aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme, hartimin e modeleve të organizimit të administratës, hartimin e planeve të zhvillimit social-ekonomik si dhe saktësimin gjeografik të kufijve të 61 bashkive të reja. Ndërkohë këtë vit do të krijohet edhe Agjencia Kombëtare për Implementimin e Reformës Territoriale. 


Ju thatë se keni zgjedhur Pogradecin dhe Urën-Vajgurore si zona pilot për modelin e bashkimit të komunave, çfarë nënkupton konkretisht kjo gjë? 

Siç e shpjegova edhe më sipër, Pogradeci dhe Ura-Vajgurore janë përzgjedhur si 2 bashki pilote që do të shërbejnë si model për amalgamimin praktik edhe në bashkitë e tjera. Ju e dini tashmë se, pas zgjedhjeve të ardhshme vendore nuk do të ketë më komuna, por vetëm 61 bashki. Formati apo modeli i amalgamimit për një pjesë të madhe të këtyre bashkive të reja synohet të përftohet pikërisht nga këto dy bashki pilot ku po punohet aktualisht.


Para implementimit të reformës është theksuar nevoja e një inventarizimi të aseteve financiare të çdo njësie. Në çfarë faze është ky proces?

Inventarizimi i aseteve financiare dhe jo vetëm, është një hap që ndodh normalisht në çdo rast kur bashkohen dy ose më shumë subjekte qofshin këto biznese private apo entitete publike. Në rastin tonë inventarizimi është një hap mëse i domosdoshëm në kushtet kur në 20 vjet funksionimi të pushtetit vendor nuk ka pasur inventarizim dhe, bazuar mbi këtë, një vlerësim të gjendjes financiare të tyre. Aktualisht ka filluar procesi i inventarizimit në Pogradec dhe në Urën Vajgurore, konkretisht në dy bashkitë dhe komunat e tyre respektive. Për realizimin e këtij procesi kompleks është nën-kontraktuar KPMG-ja, një prej 4 kompanive më të njohura në botë. Kompania është aktualisht në terren, konkretisht në Pogradec dhe në Urën Vajgurore dhe në muajin shkurt 2015 do të na dorëzojë një raport, dhe mbi të gjitha një model mbi bazën e të cilit do të ngrihet dhe do të zhvillohet procesi i inventarizimit në të gjitha bashkitë dhe komunat e tjera. Synojmë që deri në fund të vitit 2015 ky proces të ketë mbaruar në të gjithë Shqipërinë. 


Qeveria rreth një muaj më parë ka miratuar ndryshimet në ligjin nr. 8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar” ndërkohë ende nuk ka nisur diskutimi i tij. Pse kjo vonesë?

Projektligji është në kuvend dhe pritet të miratohet brenda muajit janar të vitit 2015. Pavarësisht “tempizimit” të qeverisë, kalendari i punimeve të kuvendit ka qenë shumë i ngarkuar në muajin dhjetor dhe për këtë arsye besoj që miratimi i ndryshimeve ligjore të propozuara është shtyrë për në janar. Gjithsesi jemi brenda kohës së duhur për të kaluar këto ndryshime, për të cilat zbatimi në praktikë bëhet efektiv pas zgjedhjeve vendore të 21 qershorit 2015.


Si do të bëhet ndarja e kompetencave? 

Procesi i ndarjes së kompetencave midis pushtetit qendror dhe vendor apo si njihet rëndom, procesi i decentralizimit është një proces që vijon edhe sot e kësaj dite, proces që ka filluar së paku prej vitit 1992. Në këtë histori të decentralizimit pikë kthese është viti 2000 kur u miratua edhe ligji aktual “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”,i cili bën ndarjen e madhe të funksioneve dhe kompetencave. Ligji nr. 8652 është gjithsesi një ligj kuadër, sepse kompetencat sektoriale në arsim, shëndetësi, çështjet sociale etj., rregullohen me akte ligjore të veçanta të sektorëve përkatës. Në këtë kuptim procesi i decentralizimit nuk është një stacion me një ndalesë por është një proces i vazhdueshëm që vlerëson, korrigjon dhe përmirëson ato kompetenca që kanë kaluar dhe ato që priten të kalojnë në ato sektorë ku qeverisja vendore do të ketë përgjegjësinë dhe kompetencat ekskluzive dhe në ato sektorë ku këto kompetenca apo përgjegjësi i bashkëndan me qeverinë qendrore. Ka ardhur momenti që pas reformës territoriale të rishikohet në themel ligji i organik i qeverisjes vendore (ligji nr. 8652) dhe në bazë të kësaj edhe harmonizimi i legjislacionit relevant sektorial. Vitin që vjen, me mbështetjen e USAID-it, do të ndërmarrim nismën për një ligj të ri të qeverisjes vendore. Ndërkohë, në janar të vitit 2015 do të miratojmë Strategjinë e re të Decentralizimit që është një instrument tjetër shumë i rëndësishëm sa i takon decentralizmit. Strategjia ka përthithur deri tani mendimin më të kualifikuar si të ekspertëve vendas ashtu edhe atyre ndërkombëtarë. 


Mendoni se do të përgatitet gjithçka deri në 21 qershor 2015, datë e dekretuar nga Presidenti për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme? 

Lidhur me zgjedhjet vendore të dekretuara nga Presidenti për t’u mbajtur në 21 qershor të vitit tjetër, ajo që tashmë merr më shumë rëndësi është përgatitja e kuadrit ligjor për zgjedhjet. Konkretisht, me reformën e re territoriale, ka disa çështje të natyrës teknike që pritet të rregullohen në Kodin Zgjedhor. Ne i kemi hartuar këto propozime por natyrshëm pritet që me ardhjen e opozitës në Kuvend ato të rakordohen dhe të miratohen sa më shpejt, në frymë konsensuale. Për këtë i bëj thirrje opozitës tashmë të kthyer në Kuvend, që në kornizën e marrëveshjes së arritur së fundmi me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, të fillojë edhe ajo të kontribuojë sa më shpejt në procesin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.


Tani që opozita është rikthyer në Kuvend a do të ketë diskutim për fazën e dytë të Reformës, qarqet? 

Me shumë vend pyetja juaj. E kemi pasur në axhendën tonë shtrirjen e reformës territoriale edhe në nivelin e qarqeve por duke qenë se ndërhyrja këtu kërkon ndryshim të natyrës kushtetuese, për më tepër që opozita ka pasur një reagim të fortë për këtë çështje, vendosëm që për nivelin e qarqeve Reforma të startojë në një moment tjetër të përshtatshëm. Kontributi i opozitës është i mirëpritur ashtu si e theksova edhe më sipër, në të gjitha reformat që i duhen vendit dhe posaçërisht atë për qeverisjen vendore. Kjo e fundit, edhe për veçoritë që ka si pushtet, nuk meriton të politizohet, por përkundrazi, të depolitizohet. Çdo reformë në fakt, e cila ka ndikim në mjedisin e institucioneve publike në një rreze kaq të gjerë dhe për periudha kohore afatgjata, meriton të shihet ftohtë dhe pa pasionet e ditës që gjeneron politika. 


Opozita ka deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje me këtë ndarje territoriale. E shikoni këtë si një paralajmërim për bojkot?

Opozita nuk ka qenë e qartë që në fillim se çfarë kërkon; i ka pasur të gjitha instrumentet që ajo të kontribuonte dhe të jepte propozimet e saj për ndarjen e re territoriale të vendit. Ajo zgjodhi të mos i përdorë këto instrumente, përfshirë edhe atë të vetos në Komisionin Parlamentar të Reformës. Asnjëherë nuk u bë e ditur se cili ishte varianti apo alternativa e opozitës për ndarjen territoriale përveç anatemimit të Reformës me argumente politike dhe “meraqe” elektorale. Reforma u kundërshtua që në fillim, kur ende nuk kishte madje një variant të ndarjes territoriale! Padyshim që në këtë rast kemi të bëjmë me një paragjykim mirëfilli politik. Në demokraci palët ndërveprojnë mbi bazë alternativash; mungesa e alternativave të njërës palë apo bojkotimi i reformave në bllok nuk janë argumente. Në rastin më të mirë ato mund të jenë vetëm alibi për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Historia e këtyre viteve të demokracisë e ka provuar këtë qasje si të papërshtatshme dhe për më tepër, të pa-suksesshme. Mendoj që vendit dhe demokracisë i duhet një opozitë funksionale, që mund të prodhojë alternativa konstruktive. E përsëris që zgjedhjet vendore nuk duhen politizuar, edhe për arsyen se ato i shërbejnë në radhë të parë qytetarëve dhe jo partive politike. Unë megjithatë besoj që opozita do dijë të ngrihet në lartësinë që pritet prej saj. Jam optimist se do të kemi një reflektim pozitiv nga ana e opozitës për këtë çështje.

Nga Suela Topi

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al