img7

Bledi Çuçi - "Jo më shumë se 50 bashki!"

Revista JAVA - Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore jep detaje konkrete për projektin e maxhorancës për reformën territoriale. Ai thotë se "në Shqipëri, sipas eksperteve, nuk dalin më shumë se 50 zona funksionale"

Zoti Çuçi duket se reforma territoriale po i afrohet pikës së moskthimit. Parlamenti votoi për ndryshimin e përbërjes së komisionit parlamentar, i cili i hap rrugën funksionimit të tij pa opozitën. Një pyetje të drejtpërdrejtë: sa realist mbetet afati i verës, për përmbylljen e reformës?

Në parantezë duhet thënë se Komisioni ad-hoc për reformën territoriale u krijua në datën 23 janar, në përgjigje të kërkesës së opozitës që kërkonte që reforma territoriale duhej të zhvillohej në Kuvend me një komision bipartizan, me bashkëkryesi dhe me të drejtë veto, pra me instrumenta konkrete që garantonin kontributin dhe konsensusin e opozitës. Megjithëse ne si ekzekutiv kishim zhvilluar konceptet dhe kriteret, mbi të cilat duhej të zbatohej reforma, treguam pjekurinë politike dhe bëmë një hap mbrapa, duke plotësuar kërkesën e opozitës për të pritur që të ishte Komisioni bipartisan, ai që do të zhvillonte dhe do të miratonte kriteret bazë. Vlerësuam se konsensusi i gjerë politik, do t’i jepte një përmasë gjithëpërfshirëse kësaj reforme të rëndësishme, e  mund të them se edhe sot, kur opozita e refuzoi dorën tonë të shtrirë, nuk jemi penduar aspak për këtë hap që synonte bashkëpunimin dhe dialogun.

Fatkeqësisht opozita me sjelljen e saj tregoi se nuk ishte e interesuar aspak për reformën, por keqpërdori besimin dhe vullnetin e mirë të mazhorancës për konsensus, duke çuar në bllokimin politik të Komisionit, duke mos i dhënë asnjë shans që të paktën të mund të prezantoheshin konceptet dhe alternativat konkrete të palëve, por me retorikë politike boshe refuzoi deri në ditën e fundit, që të bëhej pjesë e komisionit, duke çuar në ezaurimin e afatit tremujor, që skadoi në 24 Prill. 

Pra në këtë kontekst Kuvendi dhe mazhoranca, me vendimin që morën, për të zhbllokuar punimet e Komisionit dhe për t’i hapur rrugë ecjes së reformës, dëshmoi qartë vendosmërinë e saj për të çuar në fund reformat që i duhen vendit dhe qytetarëve. Thënë këtë, ne e mirëpresim sërish kontributin e opozitës në muajt e ardhshëm, por nga ana tjetër nuk mund të mbetemi peng i bllokimit politik të reformave.

Dëshëroj të shtoj, në këtë prizëm, se gjatë muajve të fundit, kur kam udhëtuar nëpër Shqipëri së bashku me kryetarin e komisionit parlamentar të reformës z.Fino, kam pasur rastin të konstatoj me kënaqësi se ka një kuptim të drejtë dhe të detajuar të përfaqësuesve të qeverisjes vendore, për qëllimin e reformës territoriale-administrative, impaktin e saj social e financiar, si dhe për nevojën e ndryshimit të një statu quo-je disavjeçare, gjatë të cilës qeverisja vendore degjeneroi në një mozaik pashallëqesh, që i përket kohës së mbetur për përmbylljen e reformës, patjetër që do të kishte qënë më komode për vendimarrësist dhe ekspertët teknikë, që Komisioni të kishte filluar puånën që në janar. Gjithsesi mbetem besimplotë se edhe me afatet e reja, do të jemi në gjendje të përmbushim pritshmëritë, për të realizuar një reformë kaq të domosdoshme. Mjafton vullneti i mirë dhe dëshira për të ecur përpara, me një vizion europian të politikëbërjes dhe të mos mbesim në llogoret e luftës politike të modeleve të dështuara dhe konfliktuale të së shkuarës. Shqipëria ka nevojë të qeveriset, përmes reformash që rrisin standartin demokratik, përmirësojnë jetën e njerëzve dhe na afrojnë më shumë me Europën e Bashkuar. 

Cilat janë hapat konkrete që do ndërmerren nga ky moment?

do duhet të fillojë menjëherë punimet, duke përcaktuar së pari një kalendar impenjues dhe kërkues, për të dëgjuar dhe konsultuar të gjitha raportet teknike dhe kriteret e hartuara nga ekspertët dhe bazuar në këto propozime të marrë vendimin për një propozim konkret të hartës së re të ndarjes administrative. 

Ky propozim i hartës do të jetë edhe varianti që do të konsultohet gjerësisht në mënyrë zyrtare dhe profesionale me komunitetet vendore, publikun, shoqërinë civile, pushtetin vendor dhe padyshim edhe me të gjitha forcat politike në vend. Parashikojmë që konsultimi i hartës së re do të marrë jo më   shumë se dy muaj kohë dhe në përfundim të këtij procesi Komisioni do të shqyrtojë mendimet dhe opinionet e dala nga procesi i konsultimit dhe do të vendosi për hartën finale e cila do ti paraqitet Kuvendit në seancë plenare.

A ka një marzh negociate, që ruhet eventualisht, nëse opozita do të japë shenja afrimi gjatë rrugës? Në cilat aspekte jeni të gatshëm të lëshoni pe, nga projekti fillestar?

E thashë dhe më sipër, në momentin që Komisioni do të miratojë propozimin e parë të hartës së re territoriale, do të kemi rreth dy muaj kohë që të zhvillohen konsultime apo negociata, quajini si të doni, me të gjithë palët e interesuara, më së pari me komunitetet vendore që preken direkt nga ndryshimi.

Ky do të jetë momenti, shpresoj, kur opozita mund të reflektojë dhe të shikojë konkretisht variantin e propozuar dhe të japë alternativat e saj, të cilat do të shqyrtohen në mënyrën më të plotë dhe më konsensuale. E theksoj këtë sepse që në fillim të punës sonë për reformën, vullneti ynë ka qënë për të punuar së bashku, pra edhe mbi variantin e parë që do të propozohet. Gjithsesi çdo gjë mbetet e hapur dhe opozita është gjithmonë e mirëpritur si kontribuese dhe bashkëreformuese, por në asnjë mënyrë si bllokuese. Reforma territoriale-administrative ka nisur dhe do të përfundojë, për shkak se Shqipëria ka nevojë për të.

Opozita ka hedhur kërcënime konkrete, në rast se procedohet pa votën e saj. A parashihni një mundësi bojkoti të saj në zgjedhjet e ardhshme lokale?

Politika e kërcënimeve dhe shantazheve është një politikë e vjetër dhe e huaj për frymën e demokracive të zhvilluara, ku synojmë të aderojmë. Jemi votuar në mënyrë masive nga qytetarët, pikërisht se ata janë lodhur nga modelet e vjetra të politikës 23 vjeçare shqiptare, kështu që besoj se nëse opozita ofron si alternativë të sajën bojkotin dhe kërcënimet për destabilizimin të vendit, kjo është një rrugë pa krye ku ajo fut më së pari veten. Jam sigurt se do të jenë përsëri qytetarët, që me votën e tyre do të çertifikojnë ose do të mbesin “në klasë” veprimet e njërës apo tjetrës palë. Ne si maxhorancë jemi të bindur se ndodhemi në anën e duhur të historisë. Kjo reformë meriton plotësisht të cilësohet si historike dhe ne nuk duam të humbim edhe më tej kohë të çmuar, siç ka ndodhur në 15 vjetët e fundit.

Jeni akuzuar se po bëni një ngjitje mekanike komunash e qarqesh, me qëllimin e rritjes së avantazhit elektoral mbi palën tjetër. Si i përgjigjeni kësaj akuze?

Këto janë akuza të pabaza dhe në vazhdën e akuzave që opozita ka bërë për çdolloj reforme që po ndërmerr mazhoranca. Në mënyrë shumë transparente dhe bazuar në ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj, kriteret e zbatimit të reformës më së pari bazohen në konceptin e  funksionalitetit ekonomik dhe social. Pra, duke analizuar vektorët e zhvillimit social-ekonomik, demografik, të kryerjes së shërbimeve dhe infrastrukturës ne do të arrijmë të konfigurojmë edhe hartën administrative ndaj ketyre zhvillimeve. Ne po bëjmë një analizë të detajuar të të gjithë territorit të vendit për të evidentuar ato që ekspertët i quajnë “zona funksionale”, e cila nënkupton një hapësirë territoriale ku ka një ndërveprim të dendur dhe të shpeshtë mes banorëve dhe institucioneve për qëllime ekonomike, sociale, zhvillimore dhe kulturore dhe ku ka mundësi për ofrimin e gamës së plotë të shërbimeve publike që duhet të ofrojë një njësi vendore. Kjo është baza moderne dhe shkencore e konfigurimit të qeverisjes qoftë në nivel qëndror ashtu edhe në nivel vendor dhe janë koncepte të përdorura gjerësisht në reformat territoriale që janë zhvilluar apo po zhvillohen aktualisht në Evropë si psh. në Irlandë, Skoci, Zvicër, Armeni, Gjeorgji, Ukrainë etj. Deri tani ekspertët kanë evidentuar jo më shumë se 50 zona të tilla funksionale në të gjithë Shqipërinë. 

Por nga ana tjetër çdo shqetësim të bazuar të opozitës ne jemi të detyruar ta marrim në konsideratë dhe kjo ka qënë arsyeja se pse kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë konsensusin e opozitës në mënyrë që të gjitha shqetësimet e saj të adresohen në mënyrë profesionale dhe aspak politike.

Çfarë reagimi po merrni nga subjektet e qeverisjes vendore, pas kontakteve që keni pasur me ta?

Në muajin mars dhe prill zhvilluam një tur të gjerë informimi dhe konsultimi me përfaqësues të qeverisjes vendore, komuniteteve, shoqërisë civile dhe biznesit në gjithë Shqipërinë. Siç thashë më lart, opinioni që mbizotëron në mënyrën më absolute është se reforma territoriale duhet të bëhet urgjentisht, bile është e vonuar. Për këtë  janë të bindur vetë përfaqësuesit e qeverisjes vendore më së pari. 

Ndërkohë që dallimet ekzistojnë kur vijmë tek propozimet konkrete të bashkimeve të njësive vendore. Ka propozime që vijnë nga kryetarë komunash, që konsistojnë në bashkime mekanike të njësive, bazuar më tepër në lidhjet tradicionale që kanë pasur zona të ndryshme në vend, por që nuk kanë asnjë bazë që mund të përbëjë një potencial të zhvillimit social-ekonomik apo të kryerjes së shërbimeve.

Si e shihni zgjidhjen për Tiranën, në kuadrin e reformës? A mund të na jepni ndonjë detaj konkret në këtë drejtim?

është shembulli më sinjifikativ i domosdoshmërisë së kryerjes së reformës. Ndryshimet sociale, ekonomike dhe demografike në 20 vjet demokraci, gravitetin më të madh e kanë pasur pikërisht në Tiranë ose më saktësisht në zonën e administrative të ish-rrethit të Tiranës apo me terminologjinë moderne në Metropolin e Tiranës. 

Zhvillimi urban i qytetit të Tiranës i ka tejkaluar tashmë kufijtë e saj administrativ, duke prekur të gjitha komunat përreth saj. Pra në mënyrë natyrale, pa bërë reformë, qyteti i Tiranës është kthyer në një unitet territorial që shtrihet direkt në territoriet e komunave Kashar, Farkë, Dajt dhe Vaqarr, por që perspektiva funksionale e zhvillimit të saj impakton një territor edhe më të gjerë duke përfshirë edhe bashki apo komuna të tjera në aksin Tiranë-Vorë, Tiranë-Ndroq, Tiranë-Kamëz apo Tiranë-Krrabë.  

Nga ana tjetër, administrativisht kemi një territor të copëzuar me shumë juridisksione të ndryshme administrative që nga pikëpamja zhvillimore dhe menaxheriale janë barriera të pashembullta në zhvillimin e qëndrueshëm të territorit dhe në efiçencën e shërbimeve publike për qytetarët. 

Pra në këtë kontekst vijën ndarëse të hartës së re të Tiranës e kanë vizatuar në mënyrë natyrale vetë zhvillimet demografike, sociale dhe ekonomike që kanë ndodhur këta 20 vjetët e fundit. Detyra jonë mbetet që këtë realitet ta legalizojmë edhe nga pikëpamja administrative.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al