img7

Mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale SFIDAT E PROCESIT

Tiranë, 12 shkurt 2014 - Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi mblodhi sot në një tryezë të rrumbullakët prefektë, kryetarë të bashkive më të mëdha në vend si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e komunitetit ndërkombëtar, për të diskutuar rreth sfidave të Reformës Administrativo-Territoriale. Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të platformës së transparencës qe synon bashkëpunimin dhe përfshirjen e plotë në këtë proces të aktorëve politikë në nivel kombëtar dhe lokal.

Duke folur për rëndësinë e reformës Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi theksoi: “Ne jemi votuar nga shqiptarët në vitin 2013 për të bërë këtë reformë. Opozita në mënyrë të vazhdueshme ka shprehur domosdoshmërinë e kësaj reforme dhe partnerët ndërkombëtarë evidentojnë gjithashtu se reforma territoriale është ndër reformat më të rendësishme që duhet të realizojë qeveria brenda këtij mandati”. Ministri Çuçi ndër të tjera tha se Reforma Administrativo-Territoriale do të zbatohet nëpërmjet një procesi të plotë pjesëmarrës dhe gjithëpërfshirës duke kërkuar konsensusin e gjerë qytetar dhe politik. “Kjo reformë është një nismë kyçe që synon të përmirësojë shërbimet për qytetarët dhe të fuqizojë qeverisjen vendore duke i shërbyer zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të komuniteteve në të gjithë vendin”, - u shpreh Ministri Bledi Çuçi.

I pranishëm ne takim kreu i Shoqatës për Autonomi Vendore si dhe Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Z. Artan Shkembi, u shpreh në emër të kësaj shoqate dhe të me shumë se 160 kryetarëve të bashkive dhe komunave, anëtarë të saj, se e mbështesin këtë reformë pa asnjë rezervë duke e parë atë si një nevojë dhe domosdoshmëri në rradhë të parë për qytetarin. Ai shprehu shqetësimet dhe problematikat me të cilat ndeshet sot qeverisja vendore duke theksuar se faktor kryesor i këtyre problematikave ëshë ndarja aktuale territoriale. “Sot një numër prej disa qindra njësish vendore nuk sigurojnë asnjë të ardhur financiare, por thjesht shpenzojnë ato që marrin nga Qeveria.” – u shpreh Z. Shkëmbi.

Znj. Lisa Fredriksson nga Ambasada e Suedisë në emër të komuniteti ndërkombëtar që mbështet këtë reformë u shpreh se reforma të tilla janë historike për vendin ku zbatohen dhe mund të krijojnë mundësi për procese shumë të rëndësishme, me rezultate që do t’i shërbejnë vendit në shumë vite në vazhdim.

Ky aktivitet vjen në një moment shumë të rëndësishëm të procesit të kryerjes së Reformës Administrativo-Territoriale si prioritet kryesor në kuadrin e reformës së decentralizimit dhe qeverisjes vendore. Ekspertët vendas dhe ato ndërkombëtarë kanë nisur punën për të përgatitur dokumentet analitike që do t’i prezantohen komisionit të posaçëm parlamentar i cili është krijuar me Vendim të Kuvendit dhe pritet të nisë punën së shpejti.

Qeveria e Shqipërisë dhe posaçërisht Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi i ka dhënë prioritet Reformës Administrativo-Territoriale si një nismë kyçe që do të përmbushet deri në zgjdhjet vendore të vitit 2015. Kjo reformë do të zbatohet përmes mbështetjes teknike të projektit për Reformen Administrativo-Territoriale STAR financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim (SIDA), USAID-i, Agjencia Zvicerane për Zhvillim (SDC),  PNUD-i dhe Kooperacioni Italian.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al