img7

Konferenca Kombëtare Për Reformën Territoriale

Tiranë, 30 shtator 2013. Reforma administrative territoriale është prioritet për Qeverinë si një strategji efektive që çon në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, zgjerimin e demokracisë, forcimin e qeverisjes lokale  dhe përdorimin me më shumë efikasitet të fondeve publike. Për këtë aryse, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore z. Bledar Çuçi zhvilloi sot në ambjentet e Kryeministrisë një takim pune me përfaqësuesit e donatorëve që veprojnë në fushën e decentralizimit dhe qeverisjes vendore në Shqipëri.



Në hapje të takimit Ministri Çuçi falenderoi donatorët për mbështetjen e tyre për Qeverinë shqiptare dhe qeverisjen vendore dhe i njohu ata me programin dhe prioritetet e Qeverisë në fushën e qeverisjes vendore dhe decentralizimit për katër vitet e ardhshme.


Ministri Çuçi diskutoi me donatorët mbi prioritetin kryesor të qeverisë në këtë fushë, reformën administrative territoriale, duke theksuar nevojën dhe dobishmërinë e madhe që ka kjo reformë për gjithë vendin.  Ai shprehu vizionin dhe vullnetin e Qeverisë për përfshirjen në kryerjen e kësaj reformë të rëndësishme të të gjithë aktorëve politikë në vend, veçanërisht të përfaqësuesve të opozitës parlamentare, si dhe kryerjen e saj në konsultim e dialog të hapur me përfaqësuesit e qeverisjes vendore, komuniteteve lokale, shoqërisë civile dhe ekspertë vendas. Ministri Çuçi kërkoi angazhim dhe kontribut specifik të donatorëve në mbështetje të reformës administrative territoriale.


Donatorët falenderuan Ministrin për organizimin e këtij takimi dhe shprehën mbështetjen për Qeverinë e re në arritjen e prioriteteve dhe objektivave të shpallura në programin e saj katërvjeçar, duke përfshirë kryerjen e reformës administrative territoriale, gjë të cilën e kanë shprehur edhe më parë në mënyrë eksplicite në një sërë dokumentash dhe raportesh me fokus qeverisjen vendore në Shqipëri, duke përfshirë Progres Raportin e Komisionit të BE-së për vitin 2012. 


Në përfundim të takimit, Ministri Çuçi dhe donatorët ranë dakord për hapat konkretë të bashkëpunimit mes tyre dhe me Qeverinë me qëllim hartimin dhe vënien në jetë në kohë dhe me efektivitet të reformës adminstrative territoriale.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al