1. Vështrim i Përgjithshëm

    Reformë me ndikim të gjerë

    Qeveria shqiptare hartoi me sukses dhe po zbaton reformën administrative-territoriale duke organizuar qeverisjen vendore në 61 bashki. Organizimi i ri territorial synon fuqizimin e bashkive duke rritur kapacitetin e tyre për të ofruar shërbime të një cilësie të lartë për qytetarët dhe duke rritur efiçencën e menaxhimit të burimeve të tyre.

  2. Objektivi 1: Përmirësimi i Shërbimeve

    Objektivi 1: Përmirësimi i shërbimeve për qytetarët në nivel vendor

    Reforma administrative-territoriale do të çojë në rritjen e efiçencës administrative, profesionale dhe teknike të qeverisjes vendore për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët dhe në mënyrë më moderne. Njësitë administrative (ish-komunat) do të vijojnë të ofrojnë shërbimet bazë për çdo banor të bashkisë së re.

  3. Objektivi 2: Rritja e efiçencës dhe mirëqeverisjes

    Objektivi 2: Rritja e efiçencës dhe mirëqeverisjes në nivel vendor

    Reforma administrative-teritoriale do të çojë në përmirësimin e mirëqeverisjes dhe ofrimit të shërbimeve publike më efiçente nga qeveritë vendore; mbledhjen më efektive të taksave dhe tarifave nga to; mundësi më të mira për të promovuar dhe nxitur zhvillimin ekonomik lokal të qëndrueshëm.

  4. Objektivi 3: Fuqizimi i qeverisjes vendore

    Objektivi 3: Fuqizimi i qeverisjes vendore,
    qytetarëve dhe komuniteteve

    Reforma administrative-territoriale do të fuqizojë qeverisjen vendore përmes decentralizimit të më shumë funksioneve dhe kompetencave dhe alokimit të më shumë fondeve publike. E organizuar në 61 bashki, qeverisja vendore do të ketë më shumë mundësi për të marrë pjesë në projekte të bashkëpunimit ndërkombëtar, për të tërhequr më shumë fonde nga BE dhe donatorë të tjerë, për të negociuar me qeverinë qendrore dhe për bashkëpunim më të gjerë mes bashkive e komunave.

  5. Palët e interesuara

    Një reformë gjithëpërfshirëse

    Qeveria shqiptare zhvilloi dhe përkrahu një platformë për bashkëpunim të ngushtë dhe kuptimplotë mes të gjithë palëve të interesuara për reformën duke përmbushur standardet më të larta të gjithëpërfshirjes dhe transparencës. Në konsultime u përfshinë 20,341 qytetarë, përfaqësues të institucioneve publike dhe agjencive të pavarura, qeverisë vendore, shoqërisë civile, sektorit privat, medias si dhe organizatat dhe programet ndërkombëtare.

reformaterritoriale.al

KRYESORE

Qeverisje vendore moderne, transparente dhe në shërbim të qytetarëve

Elbasan, 11 mars – U prezantua sot modeli i tretë i zyrave të shërbimeve me një ndalesë, në kuadër të nismës së ndërmarrë nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, z. Bledi Çuçi së bashku me donatorët ndërkombëtarë mbështetës të reformës territoriale në Shqipëri për projektin e shtrirjes së zyrave me një ndalesë në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ngritja e zyrave me një ndalesë ka për qëllim shndërrimin rrënjësor të mënyrës se si qeverisja vendore punon për qytetarët, duke iu ofruar shërbime të menjëhershme, në mënyrë transparente dhe pranë vendbanimit të tyre. Ky model pritet të shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë, dhe sipas Ministrit Çuçi do të reduktojë vështirësitë e hasura nga qytetarët për arsye të rritjes së territorit të bashkive pas reformës territoriale.

“Kemi parë tre zgjidhje të ofruara dhe jemi shumë pranë një zgjidhjeje të vetme në rang kombëtar. Zgjidhja e parë u ofrua në Shkodër, me mbështetjen e qeverisë zvicerane. Në Korçë u prezantua zgjidhja e dytë e pilotuar nga USAID-i dhe sot, në Elbasan do të shohim zgjidhjen e tretë të ofruar nga Projekti “STAR” (“Mbështjetje për Reformën Administrativo-Territoriale”). Pavarësisht sa larg qendrës banon qytetari, ai do të ketë mundësi të marrë shërbimin aty ku banon. Këto modele mundësuan ri inxhinierimin e shërbimeve, parë nga këndvështrimi i zhdukjes apo reduktimit të barrierave burokratike”, u shpreh gjatë takimit Ministri Çuçi.

Gjatë vizitës në Bashkinë Elbasan dhe Njësinë Administrative Bradashesh, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore u shoqërua nga kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Qazim Sejdini dhe stafi i tij. Të ftuar ishin edhe  Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, SH.T.Z. Alberto Cutillo, Koordinatori i OKB-së në Tiranë dhe përfaqësuesi rezident i PNUD-it për Shqipërinë, SH.T.Z. Brian J. Williams si dhe përfaqësues të komitetit drejtues të donatorëve për Projektin “STAR”. Nepërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë, të ftuarit ndoqën të gjithë procesin e ofrimit të shërbimeve pranë zyrës me një ndalesë në Njësinë Administrative Bradashesh,  si edhe komunikimin e qytetarëve në kohë reale me Bashkinë Elbasan, ku kishin mundësinë të merrnin shërbime të cilat më herët kërkonin 10 ditë, në më pak se 10 minuta.

“Gjatë krijimit të modelit të zyrës së shërbimeve me një ndalesë në Elbasan dhe Bradashesh; Durrës dhe Ishëm, u përqendruam në dy pika të rëndësishme: promovimin e teknologjisë së hapur  dhe faktin që këto zyra nuk kanë kosto licence apo mirëmbajtjeje, si dhe që mund të kontrollohen, përdoren apo të përmirësohen nga vetë punonjësit e bashkisë apo njësitë administrative; dhe krijimin e një modeli të plotë, të vazhdueshëm dhe të integruar me sisteme të tjera të qeverisë qendrore”, u shprehën gjatë prezantimit specialistët e Projektit STAR.

Çdo banori në Elbasan dhe Bradashesh i ofrohen në mënyrë elektronike, vetëm duke paraqitur kartën e identitetit apo kur është e nevojshme NIPT-ine biznesit, nëntë shërbime të ndryshme si : kërkesë për informacion; ankesa; regjistrimi i një biznesi për taksa vendore; vlerësim i detyrimeve për taksat vendore; vërtetim për shlyerjen e taksave vendore; leje për zënie të hapësirës publike; saktësim adrese banimi; banesë sociale me qera; banesë sociale me kosto të ulet. Modeli i zyrës me një ndalesë do të mundësojë në të ardhmen ofrimin e një game më të gjërë shërbimesh në një sportel të vetëm dhe është i integruar edhe me sistemet dhe databazat e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe sistemit dixhital të Protokollit dhe Arkivave.

Nisma e përbashkët e qeverisë shqiptare dhe e donatorëve ndërkombëtarë, mbështetës të qeverisjes vendore në Shqipëri, do të shtrihet në të ardhmen në të gjitha njësitë administrative dhe 61 bashkitë e reja me synim rritjen e numrit të shërbimeve, modernizimin dhe standardizimin e tyre. 




Buletini1

HARTA - 61 BASHKI


61 bashki


 facebooklogo     youtubelogo

Kontakt



Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al