1. Vështrim i Përgjithshëm

    Reformë me ndikim të gjerë

    Qeveria shqiptare hartoi me sukses dhe po zbaton reformën administrative-territoriale duke organizuar qeverisjen vendore në 61 bashki. Organizimi i ri territorial synon fuqizimin e bashkive duke rritur kapacitetin e tyre për të ofruar shërbime të një cilësie të lartë për qytetarët dhe duke rritur efiçencën e menaxhimit të burimeve të tyre.

  2. Objektivi 1: Përmirësimi i Shërbimeve

    Objektivi 1: Përmirësimi i shërbimeve për qytetarët në nivel vendor

    Reforma administrative-territoriale do të çojë në rritjen e efiçencës administrative, profesionale dhe teknike të qeverisjes vendore për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët dhe në mënyrë më moderne. Njësitë administrative (ish-komunat) do të vijojnë të ofrojnë shërbimet bazë për çdo banor të bashkisë së re.

  3. Objektivi 2: Rritja e efiçencës dhe mirëqeverisjes

    Objektivi 2: Rritja e efiçencës dhe mirëqeverisjes në nivel vendor

    Reforma administrative-teritoriale do të çojë në përmirësimin e mirëqeverisjes dhe ofrimit të shërbimeve publike më efiçente nga qeveritë vendore; mbledhjen më efektive të taksave dhe tarifave nga to; mundësi më të mira për të promovuar dhe nxitur zhvillimin ekonomik lokal të qëndrueshëm.

  4. Objektivi 3: Fuqizimi i qeverisjes vendore

    Objektivi 3: Fuqizimi i qeverisjes vendore,
    qytetarëve dhe komuniteteve

    Reforma administrative-territoriale do të fuqizojë qeverisjen vendore përmes decentralizimit të më shumë funksioneve dhe kompetencave dhe alokimit të më shumë fondeve publike. E organizuar në 61 bashki, qeverisja vendore do të ketë më shumë mundësi për të marrë pjesë në projekte të bashkëpunimit ndërkombëtar, për të tërhequr më shumë fonde nga BE dhe donatorë të tjerë, për të negociuar me qeverinë qendrore dhe për bashkëpunim më të gjerë mes bashkive e komunave.

  5. Palët e interesuara

    Një reformë gjithëpërfshirëse

    Qeveria shqiptare zhvilloi dhe përkrahu një platformë për bashkëpunim të ngushtë dhe kuptimplotë mes të gjithë palëve të interesuara për reformën duke përmbushur standardet më të larta të gjithëpërfshirjes dhe transparencës. Në konsultime u përfshinë 20,341 qytetarë, përfaqësues të institucioneve publike dhe agjencive të pavarura, qeverisë vendore, shoqërisë civile, sektorit privat, medias si dhe organizatat dhe programet ndërkombëtare.

reformaterritoriale.al

KRYESORE

Miratohet projektligji “Për vetëqeverisjen vendore”

Tiranë, 17 dhjetor 2015 - Të enjten u mblodh Kuvendi në seancë plenare dhe miratoi me 88 vota dhe zero abstenim, projektligjin “Për vetëqeverisjen vendore”. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, z.Bledi Çuçi deklaroi se ky ligj konsolidon arritjet e deritanishme të pushtetit vendorë.

“Esenca e reformës së pushtetit vendor në Shqipëri, sipas programit politik të Keshillit të Ministrave të miratuar nga Kuvendi, sintetizohet në dy objektiva strategjikë: e para, të maksimalizojë efiçencën operacionale, përfshirë dhe standardet e performancës, cilësisë së shërbimit, kujdesit ndaj qytetarit dhe komunitetit; së dyti, të fuqizojë efektivitetin e përfaqësimit demokratik, përfshirë kontrollin demokratik të drejtimit politik të bashkive dhe të keshillave, përgjegjshmërinë e tyre, transparencën dhe reagimin e përfshirjen e komuniteteve lokale. Synimi i përgjithshëm i ligjit është arritja e një sistemi që performon dhe siguron shërbime sa më efektivisht që të jetë e mundur, për qytetarët dhe komunitetin. Kërkesa themelore e reformës është bërja e njësive të qeverisjes vendore sa më të përshtatshme, pikësëpari në bazë legjislative për të përballuar sfidat” – tha z. Çuçi.

Projektligji “Për vetëqeverisjen vendore” përcakton 56 funksione të pushtetit vendorë, ndër të cilat 17 janë të reja.

Përmbledhje e risive të këtij projektligji është se, krijon sistem autonom të vetëqeverisjes vendore, iu mundëson bashkive rol më të madh në vendimmarrje, krijon mundësinë e kryerjes më efektive të kompetencave përkatëse, përforcon dhe strukturon rregullimet ligjore si dhe krijon kushtet për rritjen e pjesëmarrjes së grave në qeverisjen vendore. Ai mbulon të gjitha aspektet e organizimit të vetëqeverisjes vendore dhe është në përputhje të plotë me Karten Europiane të Vetëqeverisjes vendore, duke u vlerësuar si i tillë edhe nga Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale në Këshillin e Europës.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Bashkim Fino tha se projektligji garanton një decentralizim më të thellë. “U hoqëm rrugët rurale qarqeve sepse sot kemi njësi bashkiake që janë më të mëdha dhe nuk ka më nevojë që t`i ndërlidhë qarku” – tha z.Fino.
Z. Fino konfirmoi se projektligji është hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe pas një sërë tryezash konsultuese me publikun dhe të zgjedhurit vendorë.

Në diskutimet për projektligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, para votimit të tij në parlament, u theksua rëndësia e veçantë e tij edhe nga deputet e tjerë të Kuvendit. “Ne realizuam një ligj me konsensus, sepse është një instrument që u shërben të gjithë drejtuesve të bashkive, pavarësisht përkatësive politike të tyre. Besoj që ky është një ligj i natyrshëm, i miratuar në këtë mënyrë, pasi i gjithë mekanizmi që e propozon është një mekanizëm pozitiv”, u shpreh z. Petrit Vasili, në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Hartimi i këtij projektligji ishte një proces gjithëpërfshirës, drejtuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, për të cilin kontribuan ekspertët më të mirë të fushës. Ligji i ri  
synon të maksimizojë eficencën e vetëqeverisjes vendore dhe të fuqizojë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në vendimmarrje.




Buletini1

HARTA - 61 BASHKI


61 bashki


 facebooklogo     youtubelogo

Kontakt



Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al