1. Vështrim i Përgjithshëm

    Reformë me ndikim të gjerë

    Qeveria shqiptare hartoi me sukses dhe po zbaton reformën administrative-territoriale duke organizuar qeverisjen vendore në 61 bashki. Organizimi i ri territorial synon fuqizimin e bashkive duke rritur kapacitetin e tyre për të ofruar shërbime të një cilësie të lartë për qytetarët dhe duke rritur efiçencën e menaxhimit të burimeve të tyre.

  2. Objektivi 1: Përmirësimi i Shërbimeve

    Objektivi 1: Përmirësimi i shërbimeve për qytetarët në nivel vendor

    Reforma administrative-territoriale do të çojë në rritjen e efiçencës administrative, profesionale dhe teknike të qeverisjes vendore për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët dhe në mënyrë më moderne. Njësitë administrative (ish-komunat) do të vijojnë të ofrojnë shërbimet bazë për çdo banor të bashkisë së re.

  3. Objektivi 2: Rritja e efiçencës dhe mirëqeverisjes

    Objektivi 2: Rritja e efiçencës dhe mirëqeverisjes në nivel vendor

    Reforma administrative-teritoriale do të çojë në përmirësimin e mirëqeverisjes dhe ofrimit të shërbimeve publike më efiçente nga qeveritë vendore; mbledhjen më efektive të taksave dhe tarifave nga to; mundësi më të mira për të promovuar dhe nxitur zhvillimin ekonomik lokal të qëndrueshëm.

  4. Objektivi 3: Fuqizimi i qeverisjes vendore

    Objektivi 3: Fuqizimi i qeverisjes vendore,
    qytetarëve dhe komuniteteve

    Reforma administrative-territoriale do të fuqizojë qeverisjen vendore përmes decentralizimit të më shumë funksioneve dhe kompetencave dhe alokimit të më shumë fondeve publike. E organizuar në 61 bashki, qeverisja vendore do të ketë më shumë mundësi për të marrë pjesë në projekte të bashkëpunimit ndërkombëtar, për të tërhequr më shumë fonde nga BE dhe donatorë të tjerë, për të negociuar me qeverinë qendrore dhe për bashkëpunim më të gjerë mes bashkive e komunave.

  5. Palët e interesuara

    Një reformë gjithëpërfshirëse

    Qeveria shqiptare zhvilloi dhe përkrahu një platformë për bashkëpunim të ngushtë dhe kuptimplotë mes të gjithë palëve të interesuara për reformën duke përmbushur standardet më të larta të gjithëpërfshirjes dhe transparencës. Në konsultime u përfshinë 20,341 qytetarë, përfaqësues të institucioneve publike dhe agjencive të pavarura, qeverisë vendore, shoqërisë civile, sektorit privat, medias si dhe organizatat dhe programet ndërkombëtare.

reformaterritoriale.al

KRYESORE

U mbyll me sukses Konferenca Kombëtare për Qeverisjen Vendore

Tiranë, 30 tetor 2015 - Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, z.Bledi Çuçi organizoi sot Konferencën Kombëtare për Qeverisjen Vendore në bashkëpunim të ngushtë me donatorët ndërkombëtarë, mbështetës të reformës administrativo-territoriale dhe reformës së decentralizimit në Shqipëri.

Në fjalën e tij hyrëse, Minsitri Çuçi tha që 61 bashkitë e reja, produkt i reformës administrativo-territoriale, tashmë përfaqësojnë realitetin e ri të qeverisjes vendore në Shqipëri dhe me thellimin e procesit të decentralizimit janë një mundësi për të shndërruar rrënjësisht mënyrën se si qeveria punon për qytetarët, duke iu ofruar shërbime publike me cilësi të lartë dhe në kohë.

Ministri Çuçi informoi të pranishmit për punën e bërë gjatë muajve të fundit, duke nënvizuar ndihmën e ekspertëve shqiptarë dhe të huaj, përfshirë ekspertë nga Kongresi i Autoriteve Vendore dhe Rajonale, USAID-i dhe Këshilli i Europës, për përgatitjen e Ligjit të ri për Qeverisjen Vendore i cili zgjeron në mënyrë të pakthyeshme përgjegjësitë dhe kompetencat e bashkive, filluar nga janari i vitit të ardhshëm.

Kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh: “Vlen të theksohet se tanimë u provua ajo ç`ka ne kemi nënvizuar qysh në nisje kur ndërmorrëm këtë reformë historike për riorganizmin e shtetit shqiptar, që u aplikua dhe u përshtat në terren në një kohë rekord. Nënvizimi është që misioni ynë nuk ka lidhje me asnjë interes paralel dhe nuk nxitej nga asnjë nevojë e brendshme për të bërë që një palë të dominonte mbi një palë tjetër. Kjo reformë, ishte e vetmja rrugë për të çelur një kapitull të ri në riorganizimin e strukturave të ketij shteti ne funksion te qytetarëve dhe për te garantuar kushte shumë më të favorshme për një zhvillim të integruar urban, ekonomik dhe social.”

Në këtë konferencë thanë fjalën e tyre dhe moren pjesë Presidenti i Dhomës së Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, z. Anders Knape, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, SHTZ. Donald Lu, Ambasadori i Zvicrës, SHTZ. Christoph Graf, Përfaqësues i Delegacionit Europian, z. Jan Rudolph dhe z.Johan Ndisi përfaqësues i Ambasadës Suedeze.

Të ftuar që kontribuan me fjalën e tyre ishin edhe z. Erion Veliaj, kryetar i bashkisë Tiranë dhe znj. Voltana Ademi, kryetare e bashkisë Shkodër si dhe ekspertë nga shtetet e Bashkimit Europian dhe rajoni i Ballkanit, të cilët ndanë pikëpamje mbi reformën territoriale dhe decentralizimin e mëtejshëm të kompetencave. Konferenca, ndër të tjera nënvizoi arritjet e reformave në vendin tonë, rolin e shoqatave në reformat e qeverisjes vendore dhe çështje të menaxhimit të financave publike në kuadër të decentralizimit fiskal.

Në konferencë ishin të pranishëm kryetarë dhe përfaqësues nga të gjitha bashkitë të cilët sëbashku me përfaqësuesit e Qeverisë arriten në konkluzionet: Reforma Administrativo-Territoriale ka sjellë një kontekst të ri politik dhe institucional i cili ka nevojë të plotësohet me masat e duhura të reformës së decentralizimit; nevojë për dialog të vazhdueshëm dhe klimë pozitive për bashkëpunim mes të gjitha autoriteteve vendore, Qeverisë së Shqipërisë dhe aktorëve mbështetës kombëtarë dhe ndërkombëtarë, për vijimin e reformës së decentralizimit dhe për promovimin e demokracisë vendore; konsultimet e hapura, pjesë shumë e rëndësishme gjatë hartimit të projekt-ligjit të “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”; evidentimi i rëndësisë së decentralizimit fiskal dhe lëvrimi i shërbimeve publike eficente, si shtyllat kryesore të reformës së decentralizimit.

Konferenca Kombëtare për Qeverisjen Vendore ndodh në një moment të rëndësishëm të konsolidimit të reformës administrativo-territoriale dhe decentralizimit të mëtejshëm të pushtetit vendor dhe është në vijim të ndërtimit të urave të komunikimit midis Shqipërise dhe vëndeve me përvojat më të mira në fushën e qeverisjes vendore, me qëllim sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Konferenca Kombëtare përkon me 30 vjetorin e hapjes për nënshkrim të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Lokale, 20-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe 15-vjetorin e Ratifikimit të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore. 




Buletini1

HARTA - 61 BASHKI


61 bashki


 facebooklogo     youtubelogo

Kontakt



Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al