img4

Prezantohen kriteret e ndarjes së re administrativo-territoriale në Berat

Berat, 26 mars 2014 – Konsultimet publike për Reformën Administrativo-Territoriale u zhvilluan sot në Berat ku ishin të pranishëm rreth 100 të zgjedhur vendorë dhe aktorë interesi. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, paraqiti të dhënat e njësive të qeverisjes vendore të këtij qarku dhe përfitimet që burojnë nga konsolidimi i këtyre njësive. Gjithashtu gjatë takimit u prezantuan dhe u diskutuan kriteret teknike që do të përdoren për ndarjen adminsitrativo-territoriale.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Çuçi theksoi se “Mbi 35% e komunave në Berat janë totalisht të varura nga buxheti i shtetit dhe janë jashtë funksionit si njësi vendore të afta për të kryer shërbime. Nuk mund të flasim për pushtet vendor apo për autonomi lokale kur kemi njësi që mbledhin jo më shumë se 10% të taksave lokale në buxhet, dhe kur çdo investim vjen nga buxheti i shtetit. Në qarkun e Beratit për vitin 2012 raporti i të ardhurave nga buxheti i shtetit është 77% ndërkohë që 23% të të ardhurave i krijojnë vetë njësitë vendore”.

Ministri Çuçi ishte i shoqëruar nga bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale, Bashkim Fino i cili bëri të ditur se reforma administrativo-territoriale, do të shoqërohet me një reformë tjetër të rëndësishme, atë të decentralizimit të kompetencave, për të cilën po punon paralelisht një grup pune. Ai gjithashtu informoi mbi hapat konkretë që do të hedhë Komisioni Parlamentar, deri në miratimin përfundimtar të hartës së re administrativo-teritoriale të Shqipërisë.

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi në fjalën e tij theksoi se shumë njësi të qeverisjes vendore nuk arrijnë të kryejnë funksionet e tyre dhe të sigurojnë për qytetarët shërbimet bazë si ujësjellësin, menaxhimin e mbetjeve urbane, pastrimin etj., ndërkohë që shumë kryetarë komunash nuk kanë mundësi të punojnë për shkak të mungesës së financave.

Konsultimet publike për reformën territoriale do të vijojne nesër në Fier dhe Gjirokastër.


Prezantimi i kritereve teknike të propozuara për ndarjen e re administrativo-territoriale



facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al