img4

Konsultimet publike vijojnë në Elbasan dhe Pogradec

17 mars 2014 – Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi vazhdoi turin e konsultimeve publike në nivel lokal për reformën që do të përcaktojë ndarjen e re administrativo-territoriale të Shqipërisë. Takimet e radhës u zhvilluan në qytetin e Elbasanit dhe atë të Pogradecit ku ishin të pranishëm, përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore, drejtues të forcave politike, përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile dhe qytetarë.

Ministri Çuçi gjatë fjalës së tij në Elbasan u shpreh se “Reforma territoriale do të sjellë progres të padiskutueshëm dhe shumë të ndjeshëm në shërbimet që qytetarët marrin nga pushteti vendor; mundësi më të mëdha zhvillimi ekonomik vendor; inovacion dhe cilësi të lartë të shërbimeve publike; rritje të efikasitetit të shërbimeve dhe të aksesit të qytetarëve në to."

Qarku i Elbasanit ka numrin më të madh te njësive te qeverisjes vendore në Shqiperi: plot 50 njësi. Sipas Institutit të Statistikës, vetem 2 njësi vendore (bashkia Elbasan dhe komuna Bradashesh) kanë mbi 10 mijë banorë; 48 njësitë e tjera janë nën këtë shifër. Ndërkohë, gjysma e komunave të Elbasanit kanë nën 5000 banorë dhe ka edhe komuna me 600-700 banorë si, p.sh., Sulti, Lenia, Kushova, apo Stebleva.

Gjatë ditës së sotme një tjetër takim konsultues në kuadër të reformës territoriale u zhvillua në Pogradec. Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi theksoi midis të tjerash se “Sipas një llogaritje të përafërt, pas reformës në rrethin e Pogradecit mund të kishim një rezultat buxhetor neto prej më tepër se 6 milionë USD në 4 vjet që do të shkonin për investime. Ose ndryshe mund te kishim 30 km rruge rurale te shtruara apo nga nje shkolle e re, ose 2-3 kopshte apo qendra shëndetësore të reja."

Bashkia Pogradec gjeneron mbi 65% të buxhetit të bashkisë nga të ardhurat vetiake, duke qenë një nga bashkitë lider në këtë drejtim. Kurse njësitë e tjera të qeverisjes vendore mbledhin vetëm 28% të buxhetit të tyre nga taksat lokale.

Gjatë takimeve që do të zhvillohen në 12 qendrat e qarqeve dhe në qytetet kryesore të vendit, Ministri Bledi Çuçi do të informojë të pranishmit për nevojën e reformës dhe përfitimet që burojnë prej saj. Gjatë këtyre takimeve do të prezantohen dhe diskutohen kriteret teknike që do të përdoren për ndarjen adminsitrativo-territoriale të Shqipërisë.

Të gjitha opinionet dhe sugjerimet që do të vijnë gjatë konsultimeve publike me komunitetet, grupet e interesit, organizatat dhe institucionet politike dhe të pavarura do të dokumentohen e analizohen dhe do të merren në konsideratë në përgatitjen e kuadrit ligjor për Reformën Administrativo-Territoriale dhe të projekt-hartës së ndarjes së re.


Fjala e Z. Bledar Çuçi, Ministër i Çështjeve Vendore në Elbasan

Fjala e Z. Bledar Çuçi, Ministër i Çështjeve Vendore në Pogradec

Prezantimi i kritereve teknike të propozuara për ndarjen e re administrativo-territoriale

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al