img4

Reforma Administrativo-Territoriale – nis turi i konsultimeve publike në nivel lokal

Lezhë, 13 mars 2014 – Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi i shoqëruar nga bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Bashkim Fino, nisi sot fazën e parë të konsultimeve publike për reformën më të rëndësishme të vendit që do të përcaktojë ndarjen e re administrativo-territoriale. Takimi i parë u zhvillua në qytetin e Lezhës ku ishin të pranishëm mbi 100 pjesëmarrës, përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore, drejtues të forcave politike, përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile dhe qytetarë.

Ministri Çuçi në fjalën e tij u shpreh se “Pavarësisht se analogjia mund të mos jetë e drejtëpërdrejtë por ka një arsye pse po i nisim takimet në Qarkun e Lezhës. Dhe kjo është simbolika. Ashtu si rreth 600 vjet më parë shqiptarët u bashkuan për të krijuar formacionin e parë politik në kërkim të identitetin të parë shtetëror shqiptar, po kështu edhe sot Shqipëria ka nevojë urgjente që të bashkohet për t’u riorganizuar administrativisht dhe ekonomikisht për të shfrytëzuar sa më mirë burimet natyrore dhe njerëzore që disponon, në funksion të rritjes së mirëqenies të shqiptarëve dhe pasurimit të kombit”.

Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Bashkim Fino i bëri edhe një herë thirrje opozitës që t’i bashkohet këtij procesi: “Kërkojmë me insistim që opozita të jetë pjesë e kësaj zgjidhje. Kemi mundësi që bashkë me opozitën të ndryshojmë edhe kushtetutën. Reforma bëhet e plotë dhe nuk mund të bëhet gjysmake. Me reformën territoriale të bëjmë edhe një reformë të paktën për këto nene të kushtetutës që i kushtohen organeve të pushtetit vendor.”

Gjatë takimeve që do të zhvillohen në 12 qendrat e qarqeve dhe në qytetet kryesore të vendit, Ministri Bledi Çuçi do të informojë të pranishmit për nevojën e reformës dhe përfitimet që burojnë prej saj. Gjatë këtyre takimeve do të prezantohen dhe diskutohen kriteret teknike që do të përdoren për ndarjen adminsitrativo-territoriale të Shqipërisë.

Të gjitha opinionet dhe sugjerimet që do të vijnë gjatë konsultimeve publike me komunitetet, grupet e interesit, organizatat dhe institucionet politike dhe të pavarura do të dokumentohen e analizohen dhe do të merren në konsideratë në përgatitjen e kuadrit ligjor për Reformën Administrativo-Territoriale dhe të projekt-hartës së ndarjes së re.


Fjala e Z.Bledar Çuçi, Ministër i Çështjeve Vendore në Lezhë

Prezantimi i kritereve teknike të propozuara për ndarjen e re administrativo-territoriale

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al