img4

Reforma Administrativo-Territoriale në nivelin e dytë të qeverisjes vendore

Tiranë, 11 mars 2014 – Reforma Administrativo-Territoriale në nivelin e dytë të qeverisjes vendore, në nivel qarku, ishte në qendër të diskutimeve në tryezën e organizuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi sëbashku me Programin e Zhvillimit Rajonal (RDP) dhe Institutin për Zhvillimin e Habitatit, Co-Plan.

Të pranishëm në këtë tryezë, përfaqësuesit e qeverisë, parlamentit, kryetarët e Këshillave të Qarqeve, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, diskutuan për nevojën e rishpërndarjes së përgjegjësive dhe funksioneve midis niveleve të qeverisjes vendore. Gjatë takimit u paraqitën propozime për organizimin territorial të nivelit të dytë të qeverisjes vendore dhe implikimet që sjell kjo qasje.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi gjatë këtij takimi u shpreh: “Prezantimi i paraqitur është një arsye e fortë për t’i bërë edhe një herë apel opozitës që t’i bashkohet kësaj reforme me interes jetik për të ardhmen dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, pavarësisht nga axhenda politike e momentit”.

Pjesëmarrësit theksuan edhe një herë nevojën urgjente për një reformë territoriale për shkak të fragmentimit të tepërt si në nivelin e parë po ashtu edhe në nivelin e dytë të qeverisjes vendore.

Drejtori Ekzekutiv i Co-Plan, z. Dritan Shutina bëri apel për të mos e shtyrë me tej këtë proces dhe për të marrë menjëherë disa vendime. “Është detyrimi jonë që të realizojmë vendimmarrje që të na pozicionojnë në mënyrë strategjike për sfidat që do të kemi në të ardhmen. Ka ardhur momenti që ta bëjmë këtë Reformë tani”, u shpreh z. Shutina.  

Diskutimi u përqendrua tek roli që ka aktualisht qarku dhe nevoja për rishikimin e tij në kuadër të hartimit të strategjisë së decentralizimit dhe organizimit të Reformës Administrativo-Territoriale. Gjithashtu u parashtruan përgjegjësitë dhe funksionet të cilat mund apo do të duhet të marrin përsipër qarqet dhe si mund të ndikojnë ato në organizimin tërritorial në këtë nivel. Në takim u adresuan edhe disa nga sfidat e integrimit në Bashkimin Europian si dhe nevoja për krijimin e rajoneve.

Pavarësisht njësive të reja vendore që do të krijohen, shërbime si transporti urban ndërqyetetas, trajtimi i mbetjeve urbane, mbrojtja e burimeve natyrore, planifikimi rajonal, shërbimi shëndetësor, arsimi profesional etj., do të kenë nevojë për një qasje rajonale. Në këtë këndvështrim, ri-organizimi territorial në nivelin e dytë (nivel qarku) duhet të bëhet domosdoshmërisht i lidhur me qartësimin e kompetencave midis niveleve të qeverisjes dhe formës së përfaqësimit në nivelin e dytë. Pavarësisht se mund të mbajmë të njëtin emërtim "Qark" kompetencat dhe funksionet e tij duhen parë në mënyrë radikale për ta orientuar atë drejt një qeverie rajonale me kompetencat përkatëse.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi falenderoi Agjencinë Austriake dhe atë Zvicerane për Zhvillim, të cilat financojnë programin RDP, për kontributin që i kanë dhënë qeverisë në zhvillimin e reformave.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al