img4

Takim Informues me Ambasadorët

Tiranë, 7 mars 2014 - Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi zhvilloi sot një takim me ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në vend ku informoi për ecurinë dhe progresin e Reformës Administrativo-Territoriale. Ministri Çuçi i garantoi ambasadorëve se Qeveria është e bindur që kjo është një nga reformat më të rëndësishme që i duhet vendit pasi fragmentimi territorial që ka sot Shqipëria ka penguar zhvillimin ekonomik vendor dhe ofrimin e shërbimeve tek komuniteti.

“Ne kërkojmë të krijojmë njësi vendore më të forta që ata të jenë të afta jo vetëm që të ushtrojnë kompetencat që u ka dhënë ligji sot por të jenë të afta për të ushtruar kompetenca të tjera që nuk i kanë për shkak të mangësive të mëdha që kanë në burime financiare apo njerëzore”, është shprehur Ministri Bledi Çuçi.

Ambasadorët e pranishëm ranë dakort për nevojën dhe domosdoshmërinë e Reformës Administrativo-Territoriale dhe shprehën vlerësimin e tyre për ecurinë e këtij procesi duke garantuar mbështetje të plotë në vazhim. Në përmbyllje të takimit, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig u shpreh se teknika e procesit të reformës territoriale është profesionale sikurse është planifikuar. 

Ministri Çuçi prezantoi gjatë takimit progresin që është bërë deri tani në kuadër të reformës territoriale duke parashtruar të gjitha hapat që janë ndërmarrë për të patur një proces sa më transparent dhe gjithëpërfshirës në përputhje me ligjin e shtetit shqiptar dhe konventat e Bashkimit Evropian si dhe bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Ai theksoi përpjekjet e bëra për të përfshirë në këtë proces opozitën e cila është ftuar disa herë që të bashkëpunojë për reformën më të rëndësishme që i duhet vendit. Ministri Çuçi shtoi se Qeveria është e vendosur që opozita të jetë pjesë e këtij procesi.

Gjatë prezantimit të tij, Ministri për Çështjet Vendore renditi fazat e ardhshme të procesit të reformës duke nisur me konsultimet e gjera me të gjithë përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore, grupet e interesit, shoqërinë civile dhe komunitetin, për kriteret  e propozuara për ndarjen e re administrative. Për të vazhduar më tej me aprovimin e këtyre kritereve nga Komisioni Parlamentar për reformën dhe me aprovimin po nga ky komision të projekt-hartës së ndarjes së re administrativo-territoriale. Ministri Çuçi nënvizoi se kjo projekt-hartë do të konsultohet gjerësisht në të gjithë vendin me të gjithë aktorët e përfshirë, shoqëruar me një anketë publike ku gjithsecili mund të shprehë mendimin e tij rreth organizimit të ri të territorit. Bazuar në konsultimet publike dhe në këtë anketë do të përgatitet projekt-ligji i cili do të shkojë në Parlament për diskutim dhe aprovim. Ministri Çuçi shtoi ndër të tjera se paralelisht do të zhvillohet edhe  procesi i decentralizimit dhe se do të kërkohet, aty ku do të shihet e nevojshme, ndryshimi i ligjeve që lidhen me funksionimin e qeverisjes vendore. Ligji për organizimin e ri administrativo-territorial pritet të hyjë në fuqi para zgjedhjeve vendore të vitit 2015. 

Ministri Çuçi falenderoi në emër të Qeverisë dhe të Kryeministrit, komunitetin ndërkombëtar në vend për mbështetjen, në veçanti Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), USAID-in, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe UNDP-në për financimin e procesit të Reformës Administrativo-Territoriale. 

Prezantime:

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi pdflogo 












facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al