img4

Qeveria mbështet bashkitë e reja në zhvillimin e planeve vendore

Tiranë, 16 korrik 2015 – U zhvillua sot një takim me kryetarët e zgjedhur të 26 bashkive të reja me synim realizimin e një qasje të re për zhvillimin e territorit që ata do të administrojnë. Në takimin e drejtuar nga Zv/kryeministri Niko Peleshi, Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi dhe Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, u ofrua asistenca e qeverisë në realizimin e Planeve të Përgjithshme Vendore, sipas ndarjes se re territoriale.

Zv/kryeministri Niko Peleshi ftoi kryetarët e përzgjedhur të bashkive që të jenë pjesë e këtij projekti i cili, me asistencë dhe financim të qeverisë shqiptare, synon realizimin e një qasje të re në planifikimin e territorit. Zv/kryeministri theksoi se qeveria do të mbështesë në të gjitha fazat dhe do të koordinojë punën për realizimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për 26 bashki. Udhëheqës dhe koordinues ndërkombëtarë do të jenë pjesë e projektit për të garantuar cilësi dhe ekspertizë.

Ky bashkëpunim qëndror-vendor, vjen në një fazë kyçe të zbatimit të reformës administrativo-territoriale dhe sikurse u shpreh Ministri Bledi Çuçi “Përmes një partneriteti të përbashkët do t’i paraprijmë dhe zgjidhim sfidat që mund të hasim gjatë zbatimit të reformës territoriale.” 26 bashkitë e para që përfitojnë nga ky instrument, janë përzgjedhur nga bashkitë që kanë pasur një plan të përgjithshëm vendor sipas ndarjes së vjetër territoriale, por që duhet të përshtatet dhe të rishikohet sipas ndarjes së re. Bashkitë e tjera që nuk i kanë pasur këto plane, do të përfitojnë nga ky instrument vitin e ardhshëm.

Krerët e bashkive mirëpritën propozimin e qeverisë dhe u treguan të hapur për bashkëpunim të vazhdueshëm gjatë mandatit të tyre.

Përmes Planeve të Përgjithshme Vendore do të analizohen territoret e reja administrative, si asete dhe hapësira operimi ku do të zhvillohet vizioni strategjik i zhvillimit të territorit urban, natyror dhe/ose prodhues. Gjithashtu do të hartohen programe zhvillimore dhe investimesh kapitale si dhe paketa projektesh prioritare strategjike, për të testuar modele të ndryshme zhvillimi me aktorë publik e privat.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni u shpreh se ky është një projekt ambicioz i cili do të realizohet brenda një kohë mjaft të shkurtër dhe për këtë kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve. Planet do të jenë gati në janar 2016, dhe na bazë të tyre do të fillojnë të jepen lejet e zhvillimit nga kryetarët e rinj të bashkive.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al