img4

Inagurohet zyra me një ndalesë, modernizim dhe shpejtësi shërbimesh

Durrës, 11 qershor 2015 – U inagurua sot zyra e shërbimit me një ndalesë në Ishëm e cila do të ofrojë për të gjithë banorët e kësaj komune por edhe ata të bashkisë së re të Durrësit, shërbime elektronike, të shpejta dhe cilësore. Kjo nismë e realizuar në kuadër të zbatimit të reformës administrativo-territoriale ka për qëllim modernizimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve bazë për të gjithë banorët, duke shmangur burokracitë, vonesat dhe korrupsionin.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi i pranishëm në inagurim u shpreh: “Me zbatimin e reformës territorial, ne i kemi marrë të gjitha masat që asnjë shërbim të mos i largohet qytetarit. Sot u demostrua modernizimi i shërbimeve përmes dixhitalizimit. Ky është modeli që ofrojmë për të ardhmen dhe ky modernizim do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë pas pilotimeve në bashkinë e Durrësit dhe Elbasanit”.

Elbasani, Durrësi, Ishmi dhe Bradasheshi janë bashkitë dhe njësitë e reja administrative të përzgjedhura për të pilotuar ngritjen dhe funksionimin e zyrës me një ndalesë pas zgjedhjeve të 21 qershorit, me konsolidimin dhe funksionimin e 61 bashkive të reja. Çdo banori do t’i ofrohen në mënyrë elektronike, vetëm duke paraqitur kartën e identitetit apo kur është e nevojshme NIPT-ine biznesit, nëntë shërbime të ndryshme si : kërkesë për informacion; ankesa; regjistrimi i një biznesi për taksa vendore; vlerësim i detyrimeve për taksat vendore; vërtetim për shlyerjen e taksave vendore; leje për zënie të hapësirës publike; saktësim adrese banimi; banesë sociale me qera; banesë sociale me kosto të ulet.

Disa nga këto shërbime do të ofrohen në mënyrë të menjëhershme në zyrën me një ndalesë të njësisë administrative. Ndërsa shërbime të tjera më komplekse dhe që kërkojnë miratimin e disa zyrave, do të administrohen nga disa zyra apo drejtori në mënyrë efiçente gjatë të gjitha fazave nëpërmjet sistemit elektronik, duke i lejuar qytetarit që nëpërmjet internetit të informohet mbi statusin e kërkesës së tij.    

Këto zyra do të funksionojnë me anë të një sistemi të bazuar në platformën “open source” (me kod burimor të hapur) e cila nuk ka kosto liçence apo mirëmbajtje si dhe mund të kontrollohet, përdoret apo përmirësohet nga vetë punonjësit e bashkisë apo njësisë administrative në të ardhmen.

Nisma do të shtrihet në të ardhmen në të gjitha njësitë administrative dhe 61 bashkitë e reja me synim rritjen e numrit të shërbimeve, modernizimin dhe standardizimin e tyre. Ngritja e zyrave me një ndalesë u realizua nga projekti “Mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale (STAR)”, mbështetur nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al