img4

Vizitë studimore për modernizimin e institucioneve lokale dhe shërbimeve

Kosovë, 16-17 prill 2015 - Grupi i ekspertëve të reformës administrativo-territoriale dhe projektit STAR zhvilloi një vizitë dy ditore në Kosovë për t’u njohur me eksperiencën e shtetit fqinj në organizimin e pushtetit vendor dhe në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Riorganizimi i ri administrativ dhe territorial në Kosovë, i cili është prezantuar si një model i suksesshëm në rajon, dhe praktikat e mira të zbatuara për modernizimin e institucioneve lokale dhe shërbimeve, u prezantuan gjatë takimeve me institucionet qendrore, lokale si dhe me shoqërinë civile.

Gjatë takimit me përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Lokal, diskutimi u fokusua në organizimin e kësaj ministrie; kompetencat, autonominë dhe të ardhurat e pushtetit lokal në Kosovë; si dhe u prezantua sistemi i matjes së performancës së komunave përmes një infrastrukture teknologjike të mirë koordinuar midis ministrisë dhe komunave.

Krijimi dhe funksionimi i ‘one stop-shop’ apo zyrave ku ofrohen të gjitha shërbimet njëherësh, ishte një pikë kyçe e vizitës studimore në një kohë kur me zbatimin e reformës territoriale në Shqipëri, synohet ngritja e të njëjtës strukturë për të ofruar më shumë shërbime dhe në mënyrë më eficente për qytetarët.

Vizita u zhvendos në Komunën e Gjilanit dhe atë të Novëbërdës të cilat ofrojnë shërbime përmes sistemit ‘one stop shop’. Grupi i ekspertëve u njoh nga afër me organizimin dhe strukturën e këtyre zyrave si dhe me aplikimin dhe shtrirjen e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Eksperienca dhe praktika e këtyre komunave në ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët përmes internetit, u pa me mjaft interes nga grupi i ekspertëve të projektit STAR dhe do të shërbejë si bazë për nisjen e një bashkëpunimi të frytshëm Shqipëri-Kosovë në këtë fushë.

Pjesëmarrësit gjithashtu zhvilluan takime informuese me shoqërinë civile në Prishtinë si Institutin Gap, i përqendruar në qeverisjen e mirë dhe monitorimin e punës së institucioneve publike në Kosovë; si dhe me përfaqësues të Internews Kosova dhe portalit online të raportimeve kundër korrupsionit www.kallxo.com.    

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al