img4

Grupet e punës në prefektura përgatiten për zbatimin e reformës territoriale

30-31 mars 2015 – Grupet e punës të reformës territoriale, të cilët përfaqësojnë 12 prefekturat e vendit, u mblodhën në një trajnim dy ditor për procesin e konsolidimit administrativ dhe financiar të 61 bashkive të reja.

36 punonjës të prefekturave, të cilët janë në përbërje të këtyre grupeve, u informuan mbi hapat e mëtejshëm të zbatimit të reformës territoriale dhe u prezantuan me manualin që do të përbëjë bazën për shkrirjen e njësive vendore në bashkitë e reja që do të marrin formë pas zgjedhjeve vendore më 21 qershor. Trajnimi u fokusua në sfidat, qasjen dhe rekomandimet për procesin e zbatimit të reformës territoriale sa i përket konsolidimit financiar dhe ristrukturimit organizativ.

Qëllimi i trajnimit ishte përgatitja e stafit lokal për t’ju përgjigjur sfidave që mund të hasen gjatë procesit të konsolidimit të bashkive të reja dhe për të mbështetur strukturat zbatuese të reformës territoriale.   

Trajnimi u drejtua nga përfaqësues të kompanisë KPMG, e cila në bashkëpunim me projektin STAR, ka realizuar manualin bazë për shkrirjen e njësive vendore sipas hartës së re administrativo-territoriale, bazuar në eksperiencën e projektit pilot që u zbatua në Pogradec dhe Urë Vajgurore.

Grupet e punës nga 12 prefekturat përbëhen nga ekspertë ligjorë, financiar dhe të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (IT).

Trajnimi u realizua me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore dhe projektit për reformën territoriale (STAR), financuar nga UNDP, qeveria e Italisë, Zvicrës, Shteteve të Bashkuara dhe Suedisë.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al