img4

Zbatimi i reformës territoriale – vizitë në bashkinë pilote

27 shkurt 2015 – Progresi dhe sfidat e zbatimit të reformës territoriale, ishin në qendër të vizitës që Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, zhvilloi në bashkinë e Urës Vajgurore.

Ministri Çuçi së bashku me partnerët ndërkombëtar të projektit të reformës territoriale (STAR), ndoqën nga afër punën në këtë bashki, e cila prej tre muajsh është pjesë e projektit pilot që synon krijimin e një modeli për konsolidimin administrativ dhe financiar të bashkive të reja.

Ministri Çuçi u shoqërua nga Ambasadori i Zvicrës, Christoph Graf, Përfaqësuesja e Përhershme e OKB-së Zineb Touimi-Benjelloun dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë si USAID, Italia dhe Suedia, donatorë të projektit STAR.

Të pranishmit u informuan për ecurinë dhe eksperiencën e fazës së pilotimit në këtë bashki. Ekspertë të projektit dhe kompanisë KPMG, në bashkëpunim me stafin lokal, po punojnë intensivisht për të kryer inventarizimin e aseteve fikse, pronave nën administrim, etj. si dhe konsolidimin e financave të njësive, Poshnje, Kutali dhe Cukalat që bashkohen në bashkinë e re të Urës Vajgurore. Ky grup ekspertësh po bën vlerësimin e të dhënave financiare, bazës ligjore, strukturës administrative dhe sistemeve të IT-së në njësitë vendore që janë pjesë e bashkive pilot, Urë Vajgurore dhe Pogradec.

Ministri Çuçi dhe ambasadorët pjesëmarrës vizituan gjithashtu komunën Cukalat e cila sot është jo-funksionale sa i përket gjendjes fizike të godinës por edhe në raport me shërbimet që i ofron komunitetit. Kjo komunë e cila sot grumbullon vetem 5 milionë lekë të ardhura në vit, shpenzon mbi 80% të buxhetit për shpenzime operative dhe në vitin 2013 nuk ka bërë asnjë investim me të ardhurat e veta, pritet që me ndarjen e re territoriale të kthehet në një qendër administrative e cila do të ofrojë shërbime më moderne dhe efikase.       

Projekti pilot është drejt përfundimit dhe në javët në vijim pritet të propozohet metodologjia e cila do të shërbejë si një udhëzues për shkrirjen e njësive vendore në 59 bashkitë e tjera, sipas hartës së re administrativo-territoriale.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al