img4

Ministri Cuçi takim me të zgjedhurit vendorë: formimi dhe zhvillimi i 61 bashkive të reja

23 dhjetor 2014 - Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, ndoqi nga afër punën që ekspertët e kompanisë KPMG, një prej kompanive më të mira në botë në fushën e financave dhe këshillimit menaxherial, po bëjnë në bashkinë e Pogradecit, një nga bashkitë pilote për zbatimin e reformës administrativo-territoriale. Ministri Çuçi u informua mbi punën që ka nisur prej një muaji për inventarizimin dhe konsolidimin e financave të tetë njësive që bashkohen në bashkinë e re të Pogradecit, invetarizimin e aseteve fikse, pronave nën administrim, etj.

Ministri Bledi Çuçi zhvilloi gjithashtu një takim me të zgjedhurit vendorë dhe administratën e bashkisë dhe komunave të kësaj zone ku bëri të ditur hapat që do të shoqërojnë fazën e zbatimit të reformës territoriale deri në dhe pas zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm.

“Me zgjedhjen në krye të 61 bashkive, kryetarët e rinj do të kenë në duar manualin e detajuar që do t’i udhëzojë përgjatë procesit të bashkimit administrativ dhe financiar, por jo vetëm. Manuali do të përmbajë edhe sygjerime mbi rishikimin e funksioneve administrative, për të eleminuar mbivendosjen e pozicioneve dhe për të fuqizuar departamentet e nevojshme për mirë-menaxhimin e bashkive dhe çlirimin e fondeve për të lejuar investime dhe për të përmirësuar shërbimet për qytetaret”, - u shpreh Ministri Çuçi në Pogradec.

Vizita e tij u zhvendos më pas në qyetetin e Korçës ku shprehu vendosmërinë e qeverisë për të përmbushur përgjegjësitë ndaj pushtetit vendor si dhe për të përfunduar me sukses reformën territoriale.

Gjatë fjalës së tij në qytetin e Korçës Ministri Bledi Çuçi u shpreh: “Përmes asistencës së partnerëve ndërkombëtarë dhe projektit STAR që ka mbështetur këtë reformë, do dizenjojmë edhe profilet e reja social-ekonomike të 61 bashkive. Profilet do të harmonizohen me stategjitë kombëtare dhe do të synojnë thithjen e investimeve, zhvillimin e qendrueshëm ekonomik dhe social.”  

Një risi që vjen me zbatimin e reformës territoriale dhe krijimin e 61 bashkive të reja është edhe procesi kompleks i saktësimit të koordinatave gjeografike të kufijve. Për herë të parë bashkitë do kenë mundësi të shënojnë me saktësi milimetrike territorin që kanë në administrim, duke i dhënë kështu fund një herë e mire mbivendosjeve.

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al