img4

Qeveria Italiane – kontribut 800 mijë euro për reformën territoriale

Tiranë, 19 shtator  2014 – Qeveria italiane nënshkroi sot një marrëveshje me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ku përcaktohet kontributi financiar 800 mijë euro për fondin e përbashkët të donatorëve, në mbështetje të reformës administrativo-territoriale. Ky kontribut i qeverisë italiane forcon më tej përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë ndaj një prej reformave kyçe të vendit.

Gjatë një ceremonie zyrtare në prani të Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë, Ambasadori italian, Massimo Gaiani dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Zineb Touimi-Benjelloun, nënshkruan marrëveshjen duke zyrtarizuar kështu kontributin italian për fazën e dytë të projektit STAR, që do të përqendrohet në zbatimin e reformës territoriale.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për këtë nismë madhore të qeverisë dhe theksoi se “Faza e dytë ka një rëndësi të veçantë sepse synon të krijojë kushte që bashkimi dhe funksionimi i bashkive të reja të mos zvarritet për shkak të procedurave burokratike. Ne synojmë që në një kohë sa më të shkurtër të kemi njësi vendore të cilat të fokusohen në misionin e tyre: të ofrojnë shërbime cilësore dhe efikase për komunitetin.”

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori italian, Massimo Gaiani theksoi: “I bashkohemi angazhimit të qeverisë për ta kryer procesin e reformës territoriale sipas standardeve ndërkombëtare të objektivitetit, transparencës dhe gjithëpërfshirjes. Për këtë qëllim, ne kemi dhënë mbështetjen tonë ndaj qeverisë shqiptare përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) që do të sigurojë ekspertizën vendase dhe të huaj që qeveria të përmbushë këto detyrime – në koordinim me aktorë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë të projektit STAR (Mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale), përkatësisht qeverisë amerikane, suedeze dhe asaj zvicerane, konfirmuan edhe një herë mbështetjen e tyre të mëtejshme për reformën administrativo-territoriale dhe fazën e zbatimit të saj.

Faza e zbatimit të projektit ka për qëllim të marrë masat paraprake dhe të përcaktojë instrumentat e nevojshme për përgatitjen e 61 bashkive të reja që do të nisin punën në 2015

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al