img4

Kuvendi miraton me konsensus të gjerë reformën administrativo-territoriale

Tiranë, 31 korrik 2014 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot ligjin për ndarjen administrativo-territoriale me 88 vota pro, duke marrë konsensus të gjerë politik. Shqipëria do të ketë një hartë të re territoriale, duke reduktuar 6 herë numrin e njësive të qeverisjes vendore të nivelit parë, nga 373 njësi vendore në vetëm 61 bashki.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Sot, ne jemi përballë gjithë punës së kthyer në një produkt, që është një reformë rrënjësore me një shkurtim drastik të numrit të njësive vendore, pikërisht, sepse jemi përballë sfidës së një transformimi që të garantojë miradministrimin e gjithë territorit dhe burimeve natyrore dhe financiare në territor.”

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi i cili ka udhëhequr punën për përgatitjen dhe zbatimin e kësaj reforme gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh: “Reforma administrativo-territoriale është ndër të paktat reforma shtetformëzuese, nga e cila përfitojnë të gjithë: çdo qytetar, çdo familje dhe çdo komunitet, pavarësisht nga vendi ku banon; si dhe çdo sipërmarrje apo organizatë jofitimprurëse që vepron në nivel të qeverisjes vendore.”

Bazuar në kritere teknike, 58 njësitë e krijuara përbëjnë zona funksionale ndërsa tre njësi të tjera janë krijuar në bazë të kriterit përjashtues të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve etnike.

Riorganizimi i qeverisjes vendore do të mund të ofrojë më shumë shërbime publike dhe shërbime më moderne dhe efikase për qytetarët; më shumë investime publike, si dhe mundësi më të mëdha për zhvillimin ekonomik e shoqëror në çdo skaj të vendit.

Procesi i reformës administrativo-territoriale u zhvillua me pjesëmarrjen e gjerë të më shumë se 19 mijë qyetarëve, përfaqësues të institucioneve të qeverisjes vendore e qendrore, sektorit privat dhe shoqërisë civile si dhe partnerëve ndërkombëtare që kontribuan në konceptimin, diskutimin dhe vendim-marrjen për këtë Reformë.

Me miratimin e këtij ligji i cili hyn në fuqi, 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, nis faza tjetër, ajo e zbatimit të kësaj reforme dhe fillimi i reformës së decentralizimit.


Fjala e Kryeministrit Edi Rama

Fjala e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi


facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al