img4

Reforma territoriale në Vlorë: rritje e potencialit njerëzor dhe turistik

Vlorë, 6 maj 2014 – Konsultimet publike për Reformën Administrativo-Territoriale u zhvilluan sot në Vlorë ku aktorë të ndryshëm interesi u njohën me kriteret teknike për ndarjen e re territoriale, tashmë të miratuara nga Komisioni Parlamentar. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi paraqiti të dhënat e njësive të qeverisjes vendore për këtë qark dhe bëri të qartë përfitimet që burojnë nga konsolidimi i këtyre njësive.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Çuçi u shpreh se Bashkia e Vlorës dhe ajo e Sarandës janë dy polet kryesore të zhvillimit por pjesa tjetër e njësive vendore në këtë qark janë në nivele shumë më të ulëta dhe nuk kanë asnjë oportunitet apo funksionalitet ekonomik apo zhvillimor. “Pjesa më e madhe e shpenzimeve në të gjitha njësitë vendore shkon për shpenzime operative, masatarisht 64% gjatë viteve 2008-2012. Kjo situatë në 80% të njësive vendore bën që ato të jenë totalisht të varura nga grantet dhe investimet e qeverisë.”

Ministri Çuçi theksoi se nga përllogaritjet e bëra del se vetëm nga mirëadministrimi i burimeve njerëzore dhe administrative përfshirë modernizimin dhe optimalizimin e tyre, impakti në buxhetin lokal në vit është rreth 60 milionë dollarë, të cilat mund të dyfishojnë investimet duke rritur cilësinë e shërbimeve në pushtetin vendor.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Bashkim Gjika sugjeroi krijimin e zonave funksionale turistike: "Unë do të shtoja që në kuadrin e ndarjes së re të njësive administrative, ndoshta do të shihej e arsyeshme për Qarkun e Vlorës një paketë turistike, mund të ishte një kriter përcaktues." 

Përfaqësues të pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe sektorit privat mbështetën këtë nismë të qeverisë duke e konsideruar atë si thelbësore për rritjen e potencialit vendor për zhvillim ekonomik dhe turistik. Ata rekomanduan që të merret në konsideratë një përputhje mes ndarjes administrative dhe zonave turistike në këtë Qark. 

Të gjitha opinionet dhe sugjerimet që do të vijnë gjatë konsultimeve publike me komunitetet, grupet e interesit, organizatat dhe institucionet politike dhe të pavarura do të dokumentohen e analizohen dhe do të merren në konsideratë në përgatitjen e kuadrit ligjor për Reformën Administrativo-Territoriale dhe të projekt-hartës së ndarjes së re. 

facebooklogo   youtubelogo

Kontakt

Sekretariati teknik

Adresa:
Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë, Shqipëri

Tel:   +355 42 277561
Email: info@rat.al